'Citroen' vjen me versionin elektrik e-C3

Në përgjigje të kërkesave të përdoruesve, pra tregut dhe konkurrencës në rritje nga prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike,  kompania ‘Citroen’ e ka prezantuar automjetin e saj elektrik më të përballueshëm që mund të tërheqë shumë përdorues.

Modeli e-C3 do të dalë në shitje vitin e ardhshëm dhe çmimi i tij për tregun e automjeteve elektrike është 23,300 euro. Por edhe ky nuk është çmimi më i ulët me të cilin Citroen dëshiron të konkurrojë në tregun e automjeteve elektrike.

Gjegjësisht, tashmë është duke përgatitur një version më të lirë të atij modeli, i cili do të ketë një bateri me kapacitet më të vogël dhe, natyrisht, një gamë më të shkurtër, por çmimi i tij duhet të jetë më i ulët se 20.000 euro, prej 19.990 euro).

Për njerëzit që kërkojnë një veturë elektrike të përballueshme për të vozitur nëpër qytet, e-C3 mund të jetë pikërisht ajo që ata po kërkojnë.

Citroen ka qenë në gjendje ta arrijë një çmim kaq të ulët falë përdorimit të platformës së saj Smart Car, e cila zakonisht përdoret për modele në rajone të tilla si India dhe Amerika Latine. Citroen e-C3 vjen me një bateri LFP 44 kWh që siguron një distancë prej 320 kilometrash, e cila është mjaft e mjaftueshme për vozitje në qytet dhe shoferët mesatarë ndoshta do ta karikojnë atë vetëm një herë në javë.

Ka një motor elektrik 83 kW me 113 kuaj fuqi, me të cilin automjeti mund ta arrijë shpejtësinë maksimale prej 135 km/h. Duhen 11 sekonda për ta arritur shpejtësinë 100 km/h, por kushdo që dëshiron performancë më të mirë nuk do të mendojë gjithsesi për Citroenin e përballueshëm për ngarje në qytet. Për sa i përket interierit, Citroen përmend sediljet e rehatshme dhe hapësirën, si dhe një panel të ri kontrolli që përfshin një ekran Head-Up dhe një ekran me prekje 10 inç.

Ndër opsionet interesante, duhet theksuar se ekziston edhe një asistent drejtimi që i njeh kufijtë e shpejtësisë, lëvizjen e automjeteve brenda korsisë, vëmendjen e shoferit dhe të ngjashme.

Modeli, i cili do të kushtojë 20 mijë euro, duhet të dalë në shitje në vitin 2025, ndërsa kompania franceze e përmend baterinë me kapacitet më të vogël si diferencën më të madhe në krahasim me modelin më të shtrenjtë. Gama e një automjeti të tillë do të jetë rreth 200 km.

Ditën kur u bë shpallja e veturës së re, Shefi Ekzekutiv i Citroen, Thierry Koskas, ka komentuar se pritjet e klientëve kanë ndryshuar në kategorinë e-C3, duke e vënë theksin tek rritja e popullaritetit të SUV-ve si dhe rritjen e interesit për automjetet elektrike. Ai ka përmendur sfida të shumta për prodhuesit evropianë të automjeteve në atë kategori, dhe ata duan t’i zgjidhin këto sfida me automjete si e-C3./ArenaEV