A do të mund të luajmë së shpejti videolojëra në YouTube?

Ka shumë para në tregun e videolojërave dhe është e qartë pse vitet e fundit, kompanitë e mëdha të teknologjisë që nuk i kemi ndërlidhur me lojërat, si Apple dhe Google, i kanë prezantuar shërbimet e tyre të lojërave vitet e fundit. Ishte Google që kishte plane të mëdha në këtë treg, dhe ata po përgatiteshin për një të ardhme në të cilën nuk do të kishte konzolla dominuese, por shërbime streaming, diçka si Netflix për videolojërat.

Mirëpo doli që planet e Google ishin ende shumë ambicioze dhe shërbimi i tyre i lojërave Stadia nuk mori rrugën e pritur dhe kompania amerikane, veçanërisht kohët e fundit kur filluan pushimet nga puna dhe ulja masive e kostove, vendosi ta mbyllë atë shërbim. Me mbylljen e Stadija duket se nuk janë mbyllur të gjitha planet e tyre për videolojërat.

Sipas raportimeve të fundit të mediave, kompania ka filluar testimin e një produkti krejt të ri të quajtur Playables, i destinuar për të luajtur video-lojëra në internet. Është interesante se përmes Playables, përdoruesit e YouTube do të mund të luajnë lojëra drejtpërdrejt përmes faqes së internetit ose aplikacionit, si në kompjuterë desktop ashtu edhe në pajisje celulare. Ndërsa përmendet se Google po teston disa lojëra në YouTube, e vetmja lojë specifike që është emëruar është Stack Bounce. Loja është falas, mirëpo shfaqen reklama.

Me një rënie të fundit në të ardhurat nga reklamat, YouTube aktualisht po eksploron mënyra të reja për të fituar para. Ata tashmë gjenerojnë të ardhura nga video-lojërat përmes transmetimit të drejtpërdrejtë dhe Playables duhet t’i rrisë më tej ato të ardhura. YouTube u tha mediave se ata kanë qenë gjithmonë të përqendruar te lojtarët dhe se vazhdimisht po eksperimentojnë me opsione dhe shërbime të reja, dhe prezantimi i lojërave online është një nga ato eksperimente./Engadget

Përgatiti: Nuhi Shala