Flamujt e Kosovës dhe të ShBA-së - Foto: KALLXO.com

Taksa kërcënon aleancën më të rëndësishme të Kosovës

Shtetet e Bashkuara, duke nxitur një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës, po humbasin durimin me një prej aleatëve të tyre më të ngushtë në Ballkan.

 

Ajo që filloi si një goditje hakmarrëse në formën e një tarife prej 100 për qind mbi mallrat e importuara nga Serbia, është shndërruar në një kërcënim të vërtetë ndaj lidhjeve të Kosovës me aleatin e saj më të afërt.

Në një konferencë të përbashkët të premten nga të dërguarit e SHBA-së në Serbi dhe Kosovë dhe një letër të martën nga tre zyrtarë të lartë të administratës Trump, Uashingtoni ka kërcënuar haptazi marrëdhëniet e tij me qeverinë e Kosovës të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara janë të zemëruara nga ajo që ato shohin si pengesa të ngritura nga Haradinaj për të kërkuar një marrëveshje përfundimtare këtë vit për zgjidhjen e marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Tarifat e vendosura nga Haradinaj në nëntor të vitit të kaluar, në hakmarrje për lobimin serb kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol, kërcënojnë të dëmtojnë ndjeshëm pozicionin e vendit të ri në negociatat me Beogradin, paralajmërojnë disa.

Tensionet mund të relfektojnë kundërshtimin e gjatë të këshilltarit të sigurimit kombëtar të presidentit Donald Trump, John Bolton, për pavarësinë e Kosovës dhe gatishmërinë e dukshme të administratës për të marrë në konsideratë ndarjen – e favorizuar prej kohësh nga Serbia – si një zgjidhje të mundshme.

“Unë besoj se pasojat e kësaj letre do të dobësojnë më tej pozitën negociuese të Kosovës për çfarëdo që do të jetë marrëveshja përfundimtare,” tha për BIRN analisti politik Haki Abazi.

Daniel Serwer, profesor i Praktikës së Menaxhimit të Konfliktit në Shkollën John Hopkins të Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara, tha: “Uashingtoni kërkon një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës dhe i sheh tarifat si një pengesë për këtë.”

Haradinaj: Sanksionet nuk funksionojnë

Letra iu dërgua të martën Haradinajt, presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të parlamentit Kadri Veseli.

E nënshkruar nga Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit, Mathew Palmer, Zv/Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper dhe John Erath, Drejtori Kryesor për Çështjet Europiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, letra shprehet pa dyshim se, “pasi të gjitha atyre që kemi bërë së bashku, Kosova e vlerëson aq pak miqësinë tonë, saqë e shpërfill këshillën tonë.”

“Këto veprime dëmtojnë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të vazhduar bashkëpunimin me ju në një gamë të gjerë objektivash të përbashkëta,” shkruan ata.

Zyrtarët konfirmuan anulimin e një vizite të planifikuar nga Gjenerali i Gardës Kombëtare të Ajouas Timothy Orr dhe thanë se Uashingtoni “do të analizonte me kujdes aspekte të tjera të bashkëpunimit tonë dhe do të shqyrtojë nëse edhe ato duhet të kufizohen”.

Kjo mund të përfshijë anulimin e një donacioni të Humvees ushtarakë amerikan me vlerë 12 milionë euro, njoftoi Kohavision këtë javë.

Haradinaj, duke iu përgjigjur raportit pas një takimi të qeverisë, tha “nuk ka sanksione të tilla që mund të na detyrojnë të heqim tarifën”.

Një gjuhë e tillë, të paktën publikisht, është e pashembullt në marrëdhëniet SHBA-Kosovë që nga koha kur Uashingtoni udhëhoqi sulmet ajrore të NATO-s të vitit 1999 kundër Jugosllavisë së atëhershme, për të ndalur vrasjen dhe dëbimin e civilëve shqiptarë etnikë në Kosovë gjatë një lufte brutale nga forcat serbe nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviçit.

Liderët e Kosovës “i kanë sjellë marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara në nivelin e tyre më të ulët që nga fundi i luftës në Kosovë,” tha për Radio Europa e Lirë  ish-diplomat amerikan dhe eksperti i Ballkanit, James Hooper.

Ai tha se Kosova e kishte “hedhur” pozitën e saj të fortë në negociata dhe Beogradi tani shihej si aktori “më racional”.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen e SHBA-së dhe fuqive të tjera të mëdha perëndimore dhe prej kohësh është varur te pushteti diplomatik i Uashingtonit për të zgjeruar integrimin e saj ndërkombëtar.

Megjithatë, Serbia thotë se politika e Uashingtonit ndaj Ballkanit është zhvendosur nën drejtimin e Trumpit dhe Boltonit, i cili në të kaluarën ka kritikuar mbështetjen e Perëndimit për pavarësinë e Kosovës.

Kthimi i Boltonit në zyrë ka inkurajuar liderët serbë të cilët kanë mbështetur prej kohësh ndarjen e Kosovës midis shumicës shqiptare etnike dhe një pjese të vogël të territorit të mbizotëruar nga serbët në veri.

Thaçi ka përkrahur “korrigjimin e kufijve”, por Haradinaj është shprehur se ndarja do të nënkuptonte luftë.

Tarifat një hakmarrje, shprehet Kosova

Letra e së martës theksoi se SHBA-ja i qëndron e angazhuar kërkimit të një zgjidhjeje për lidhjet mes Serbisë dhe Kosovës bazuar në “njohjen reciproke”. Por toni i përdorur tregoi se durimit po i vjen fundi.

“Anulimi i përkohshëm i tarifës është i vetmi hap jetik që do ta çojë përpara procesin e dialogut me Serbinë,” tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, për Kohavision në fund të janarit.

Haradinaj u takua me Kosnett të martën, duke shkruar në Facebook më pas se Kosova “mbetet e vendosur për të ruajtur miqësinë” me SHBA-në. Marrëdhënia e ngushtë midis dy vendeve është “e pacenueshme”, shkroi Haradinaj, “pavarësisht nga mendimet e ndryshme”.

Megjithatë, ai mbajti një qëndrim më të fortë me gazetarëve, duke thënë se “presioni nuk është gjuha e duhur për ne. Nuk është efikase.”

Haradinaj nuk shkoi në SHBA për Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve më parë këtë muaj, pavarësisht se ishte ftuar për këtë.

Qeveria e tij rriti tarifën e importeve për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, e cila ashtu si Serbia nuk e njeh Kosovën si të pavarur, në nëntor, duke shpërfillur ankesat nga SHBA-ja dhe Bashkimi Europian se masa shkelte kushtet e zonës rajonale të tregtisë së lirë CEFTA dhe do të dëmtonte negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja me Serbinë.

Kosova u shpreh se po vepronte në hakmarrje për lobimin e vazhdueshëm të Serbisë kundër anëtarësimit të saj në organet ndërkombëtare, si Interpoli dhe Kombet e Bashkuara.

Robert Bosch, një ish-ambasador i Holandës në Kosovë, tha se Serbia “ka vazhduar pa pushim të punojë kundër Kosovës në sferën ndërkombëtare, ashtu si brenda në Kosovë”.

Kthimi i SHBA-së kundër Kosovës ka tronditur disa në vendin e ri, i cili është mësuar të pres mbështetjen e Uashingtonit kundër Serbisë.

Serbia nuk i ka bërë vetes asnjë nder në marrëdhëniet e saj me Uashingtonin me dështimin e saj për të dënuar personat përgjegjës për vrasjen e tre shtetasve amerikanë – vëllezër dhe ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – pas përfundimit të luftës në Kosovë, theksoi analisti Abazi.

Dhe megjithatë nuk kishte pasur asnjë reagim kaq të ashpër nga SHBA-ja ndaj Serbisë “për lobimin me vendet e tjera që ata të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës ndërkohë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja vazhdon,” shtoi ai për BIRN.

Ndërhyrja e Trump

Trump ka ndërhyrë personalisht, duke u shkruar liderëve të Serbisë dhe Kosovës në dhjetor dhe duke u bërë thirrje atyre “të kapin këtë moment” për të arritur një marrëveshje.

Në një kumtesë të përbashkët të publikuar të premten në faqen e internetit të ambasadës së SHBA-së në Serbi dhe Kosovë, Kosnett dhe i dërguari i Uashingtonit në Beograd, Kyle Scott, thanë se ishte koha që Kosova të pezullonte tarifat dhe që të dyja palët t’i japin fund “provokimeve”.

“Nëse e bëni këtë, ne jemi optimist se mund të arrini një marrëveshje historike normalizimi në vitin 2019,” shkruan ata.

Ata thanë se një marrëveshje historike e miratuar këtë vit midis Greqisë dhe Maqedonisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë për çështjen e emrit të Maqedonisë “duhet të jetë një frymëzim për të gjithë në rajon”.

Jelena Miliç, drejtoresha e Qendrës për Studime Euro-Atlantike me qendër në Beograd, tha për Zërin e Amerikës: “Prishtina dhe Beogradi duhet të ndjekin të njëjtin model marrëveshjeje si Maqedonia dhe Greqia, në mënyrë që të dyja palët të humbasin diçka për të fituar diçka tjetër.”

Ministri i jashtëm serb Ivica Daciç, i cili është shprehur prej kohësh në favor të ndarjes së Kosovës, tha të hënën se çasti ishte i duhuri, por situata mund të ndryshojë përsëri pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të SHBA-së në vitin 2020.

“Çështja është nëse kthimi i Bidenit apo i ndokujt tjetër nga ai qark do të ishte gjë e mirë për ne,” tha Daciç për televizionin Pink, duke iu referuar zv/presidentit të ish-presidentit Barack Obama, Joe Biden.

Kosova “nuk priste presione kaq të mëdha nga komuniteti ndërkombëtare për të hequr tarifat,” tha ai. “Unë nuk mendoj se SHBA-ja do t’i vendosë sanksione Prishtinës për shkak të saj, por ata kanë njoftuar kufizime në bashkëpunimin ushtarak dhe të sigurisë.”

Abazi, analisti politik, tha se SHBA-ja do të ishte e mençur të mos i merrte për të vërteta “garancitë diplomatike” të Serbisë.

Serbia, tha ai, i ka shkelur premtimet nëpërmjet përpjekjeve të njëpasnjëshme ndërkombëtare për të kulmuar ndarjen midis Serbisë dhe Kosovës.

“Serbia ka përdorur strategjinë e blerjes së kohës për të dëmtuar shtetësinë e Kosovës,” tha ai.