Zeneli: Mendojmë vetëm për  fitore ndaj Suedisë

Sulmuesi i Kosovës, Arbër Zeneli, ka folur në konferencë për media, para ndeshjes ndaj Suedisë, që luhet në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Katar 2022”.

Zeneli thotë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes së nesërme. Ai tha se suedezët kanë lojtarë të klasit botëror siç është Ibrahimoviqi.

“Siç e tha edhe trajneri, kemi folur për këtë ndeshje, e dimë se do të jetë një ndeshje e rëndësishme. Brenda ekipit të Suedisë ka lojtarë të klasit botëror. E kanë Zlatanin në ekip, janë shumë të fortë. Megjithatë, ne duhet ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë”, theksoi Zeneli.

Sulmuesi i Reimsit, ka thënë se kjo ndeshje do të jetë e veçantë për të, pasi është rritur në Suedi dhe e ka ndihmuar të bëhet Arbëri që është sot.

“Do të jetë ndeshje e veçantë për mua. Kam luajtur me Suedinë prej moshës 15-vjeçare. Më ka ndihmuar të bëhem Arbëri që jam sot. Mendojmë vetëm për fitore, do të përgjigjemi në mënyrën më të mirë. Ne shkojmë për pikët e plota”, përfundoi ai.