Peja fajëson FBK-në për shtyrjen e ndeshjeve, thotë se ka kontratë kundërligjore

Ndeshja mes Pejës dhe Golden Eagle Yllit është shtyrë për një afat të pacaktuar, ndeshje e cila ishte paraparë të luhej sot nga ora 17:00, në kuadër të xhiros së 20-të në Superligen e Kosovës në basketboll.

Basketbollistët e të dy skuadrave kanë pritur për rreth gjysmë ore, por më pas u vendos për t’u shtyrë ndeshja.

Ndeshja është shtyrë për shkak të drejtave televizive për transmetimin e ndeshjeve nga “Artmotion” dhe “Kujtesa”.

Peja ka akuzuar Federatën e Basketbollit të Kosovës, se ka kontratë të kundërligjore me dy operatorët për transmetimin e ndeshjeve.

Në reagimin e Pejës thuhet se “ArtMotion”, ka fituar rastin në Gjykatën Themelore për prishje të paligjshme të kontratës.

“Ndeshja e paraparë të zhvillohet nga ora 17:00 në mes të KB Peja dhe KB Ylli është shtyrë për një datë tjetër, përmes një thirrje telefonike të kryetarit te Komesari. Kjo pasi që Federata e Basketbollit ka kontratë të dyfishtë kundërligjore me dy operatorë për transmetimin e ndeshjeve. Kompania ‘Art Motion’ ka fituar rastin në Gjykatën Themelore për prishje të paligjshme të kontratës dhe përsëri federata insiston që ndeshjet të transmetohen nga ‘Kujtesa’”, thuhet në një njoftim të klubit Peja.

Në reagimin e Pejës thuhet se ndeshja është anuluar për teke të disa personave.

KALLXO.com,  ka tentuar të kontaktojë dhe ka dërguar pyetje në FBK, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk janë përgjigjur.

Shtyhen ndeshjet e basketbollit