FOTO: Faqja zyrtare e Federatës së Basketbollit të Kosovës në Facebook

Dhuna mes tifozëve të Prishtinës dhe Trepçës, kryetari i FBK-së ftohet të raportojë

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka njoftuar se kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, është ftuar të hënën për të raportuar para institucioneve rreth incidentit të fundit në ndeshjen finale ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës.

FBK e ka dënuar dhunën dhe huliganizmin në basketboll që ka ndodhur mes tifozëve gjatë ndeshjes finale Sigal Prishtina-Trepça.

“FBK do të analizojë ndeshjen e sotme dhe do të marrë masat e nevojshme. Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, është ftuar të hënën për të raportuar para institucioneve rreth incidentit të fundit” – ka njoftuar Federata përmes Facebookut.

Sipas tyre, FBK ka bërë të gjitha përgatitjet në lidhje me Superkupën e Kosovës dhe sidomos ndeshjen finale ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës.

“Para kësaj përballje është mbajtur edhe një takim me Policinë e Republikës së Kosovës, ku është marrë vendim që të largohen të gjitha ulëset VIP, kemi krijuar tampon zone mes tifozerive, e kemi përgatitur planin operativ për ardhjen dhe largimin e tifozerive, si dhe janë angazhuar forca te mjaftueshme të Policisë dhe sigurimit privat” – është thënë në reagim.

Teksa FBK ka dënuar dhunën e shfaqur në takimin e kësaj finaleje është thënë se do të bëjnë të gjithë përpjekjet që këto skena të mos përsëriten asnjëherë në basketbollin e Kosovës.

“Ne kemi ndaluar udhëtimet e tifozëve mysafirë në Superligë dhe do të vazhdojmë me masa tjera, deri në zhdukjen e huliganizmit, që nuk ka vend në sportin tonë të dashur dhe që kemi derdhur dhe po derdhim shumë ndjersë” – ka thënë FBK.