Pas incidentit të mbrëmshëm, Këshilli për Sport rekomandon të ndalohen tifo-grupet në ndeshjet e basketbollit
Këshilli për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës në Sport ka rekomanduar që të iu ndalojë pjesëmarrjen grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, deri në një njoftim tjetër.
Përmes një komunikate për media, Ministria e Kultutrës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë se anëtarët e Këshillit i kanë trajtuar me seriozitet dhe urgjencë incidentiet e shkaktuar në ndeshjen e basketbollit të Superkupës së Kosovës ndërmjet KB Prishtina dhe KB Trepça.
“Të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit të Kosovës, deri në një njoftim tjetër” – thuhet në vendimin e Këshillit.
Gjithashtu, ky Këshill ka kërkuar nga Ministria që të përfshijë në planifikimin buxhetor për vitin 2023 vendosjen e kamerave të sigurisë në të gjitha plestrat sportive, si dhe në stadiumet e futbollit.
Po ashtu, Këshilli për sport ka thënë se shpreh indinjatën e thellë dhe i dënon incidentet e shkaktuara nga pjesëtarët e grupeve të tifozëve si ‘Plisat’, ‘Torcida’, ‘Arpagjikët’ dhe ‘Shqiponjat’, si dhe ka kërkuar nga organet ligj-zbatuese që të ndërmarrin urgjentisht veprime ligjore për identifikimin e personave që kanë kryer vepra të kundërligjshme.
“Njëkohësisht, Këshilli për Sport e dënon ashpër sulmin e shkaktuar nga huliganët ndaj katër zyrtarëve të Policisë së Kosovë, të cilët pësuan lëndime trupore gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, si edhe ndaj qytetarëve që poashtu u lënduan nga personat e papërgjegjshëm, dhe të gjithëve iu uron shërim të shpejtë”- thuhet në njoftim.
Mbrëmë gjatë ndeshjes në Supërkupën e Kosovës në Basketboll ndërmjet KB Prishtina dhe KB Trepça, pati incidente në sallë në mes të tifozëve të të dyja skuadrave. Për këtë arsye, Policia e Kosovës u detyrua ta zbrazë sallën.
Gjithashtu gjatë këtij incidenti u lënduan katër zyrtarë policor.
Ministri Çeku dënon lëndimin e policëve gjatë dhunës ndërmjet tifozëve të Prishtinës dhe Trepçës