Pas raportimit të KALLXO.com, jep dorëheqje Kryetari i Klubit të Rahovecit

Bekim Hoxha ka dhënë dorëheqje nga kryetari i Klubit Basketbollistik të Rahovecit pas hulumtimit të Kallxo.com se Hoxha ishte në një situatë të konfliktit të interesit.

Atij i duhej të zgjedhte mes postit të tij në Ministrinë e Bujqësisë ose klubin rahovecian.

Kallxo.com kishte  zbuluar se ligji i ri për parandalimin e konfliktit të interesit ua ndalon të gjithë zyrtarëve publik të kenë funksione drejtuese në Organizata Joqeveritare ku përfshihen edhe klubet sportive.

“Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës, veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me to”, thuhet në Nenin 14, Paragrai i Parë në Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.

Vet Hoxha i kontaktuar nga Kallxo.com e kishte pranuar situatën dhe kishte thënë se këtë çështje do ta adresojë në mbledhjen e bordit.

Sot Rahoveci ka njoftuar Bekim Hoxha është dorëhequr dhe në vend të tij si ushtrues detyre ka ardhë Alban Rama.

Dyshime për konflikt interesi në klubin e Rahovecit