Dyshime për konflikt interesi në klubin e Rahovecit

Një hulumtim i KALLXO.com zbulon se Bekim Hoxha kryetar i Klubit të Basketbollit Rahoveci  mund të jetë në një situatë të konfliktit të interesit dhe do i duhet të zgjedhë në mes postit të tij në Ministrinë e Bujqësisë ose në klubin Rahovecian.

Kallxo.com ka zbuluar se ligji i ri për parandalimin e konfliktit të interesit ua ndalon të gjithë zyrtarëve publik të kenë funksione drejtuese në Organizata Joqeveritare ku përfshihen edhe klubet sportive.

“Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës, veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me to”, thuhet në Nenin 14, Paragrai i Parë në Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.

KALLXO.com zbulon se Hoxha është zyrtarë i lartë publik pasi ushtron funksionin e Drejtorit  në Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Vet Hoxha i kontaktuar nga KALLXO.com ka pranuar situatën duke thënë se pret që qësthjen ta adresoj në mbledhjen e bordit të klubit.

“Po jam në dijeni jemi në diskutim e sipër besoj që shumë shpejt do të zgjidhet edhe ajo çështje. Do të thotë do të takohemi me bordin, do ta shikoj këtë çështje edhe besoj që bazuar në legjislacionin në fuqi do të ndërmirren edhe ata hapa që zakonisht janë të bazuar edhe në ligj”, ka thënë Bekim Hoxha për KALLXO.com.

Në mes Klubit e pozitës në Ministri Hoxha ka thënë se do zgjedhë ministrinë por pa e ndaluar angazhimin në klub. .

“Nuk diskutohet ajo çështje, unë pozicionin bazë e kam si drejtor i departamentit ajo është profesioni i im, për të cilin kam studiuar kam magjistruar edhe punoj një kohë të gjatë, kam një përvojë të jashtëzakonshme në atë drejtim, kështu që as diskutohet ajo punë. Unë nuk e kam lexuar në detaje do të konsultona me zyrtar ligjor, sepse klubi si klub është i regjistruar si OJQ. Do të konsultohem me zyrtar ligjor, qoftë në klub, qoftë me ekspert nga jashtë, në qoftë se nuk është e lejueshme normal që do të japi dorëheqje prej klubit”, ka potencuar Hoxha.

Ai ka treguar se ani pse është themeluesi i klubit, pritet që të jap dorëheqje nga posti i Kryetarit të Klubit, pa asnjë mëdyshje.

“Unë kam dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, kam qenë basketbollist, kam qenë i angazhuar diku 10-15 vite në këtë klub, jam edhe themelues i klubit kështu që kjo çështje as nuk diskutohet, në qofte se ligji e parasheh që është konflikt interesi është shumë normale që do të dorëhiqna si kryetar i klubit”, ka potencuar ai.

Kujtojmë se Rahoveci në sezonin e kaluar ishte nënkampion i Kosovës, pasi në fazën finale të Play-off-it u mposht nga Prishtina.

Rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe me klubin Prishtina ku kryetari i klubit Blerand Stavileci dha dorëheqje për shkak se ligji i ndalonte mbajtjen e dy pozitave

Stavileci kishte dhënë dorëheqje nga KB Prishtina, pasi sipas Ligjit të ri për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, më saktësisht sipas Nenit 14, Paragarafi i Parë nuk ia mundëson që një personi të mbaj njëkohësisht pozitën e zyrtarit të lartë publik dhe atë të Kryetarit të Klubit si Organizatë Joqeveritare.

Kësisoj Stavileci kishte dhënë dorëheqje nga Prishtina, për ta mbajtur pozitën e zyrtarit të lartë publik në Partinë Demokratike në PDK.