Nuk pranohet kërkesa që t’i merret e drejta e votës Federatës së Lundrimit

Sekretari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi, ka kërkuar që t’i merret e drejta e votës, Federatës së Lundrimit të Kosovës, për shkak se kjo federatë sipas tij nuk ka asnjë aktivitet.

“Një federatë ka tri vota pa asnjë aktivitet. Nuk jemi me i përjashtu, po me i marr të drejtën e votës për Federatën e Lundrimit”, ka thënë Gashi.

Kurse, sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, ka thënë se vendimi i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, ka qenë që mos t’i merret e drejta e votës, por vetëm t’i tërhiqet vërejtja, pasi shkalla e shkeljes nuk ka qenë e nivelit që t’i merret e drejta e votës.

“Është ftuar Federata e Lundrimit dhe pas shumë diskutimeve është vlerësuar se shkalla e mosaktivitetit të lundrimit nuk është i dëmeve të mëdha në raport me KOK-un. Në këtë rast vendimi është t’i jepet vërejtje të përmirësohet dhe të bëjë më shumë aktivitete. Dhe i ka dhënë afat një vit dhe në fund të vendoset a duhet apo jo ndonjë masë”, ka thënë Haxhija.

Nënkryetari i KOK-ut, Milaim Kelmendi, njëherit kryetar i Federatës së Skitarisë, ka thënë se duhet të dalin përfaqësuesit e të gjitha federatave e të dëshmojnë se gëzojnë të drejtë vote.

“Të dalin dhe të dëshmojnë që gëzojnë drejt vote në këtë Kuvend, duke dëshmuar se kanë gjitha certifikatat e klubeve”, ka thënë Kelmendi, i cili ka shtuar se këtë kërkesë e ka bërë edhe në Bordin e KOK-ut.