Kombëtarja e Kosovës gjatë stërvitjes- Foto: Atdhe Mulla

Mediat spanjolle shkruajnë se Spanja ka pranuar që ndeshja me Kosovën të luhet sipas rregullave të FIFA-s

Ndeshja e futbollit midis Spanjës dhe Kosovës, e vlefshme për kualifikim në Kupën e Botës ‘Katar 2022’ dhe e planifikuar të luhet me 31 mars, është përfshirë në një polemikë të ashpër që e ka vënë në rrezik zhvillimin e saj.

Federata e Futbollit të Kosovës ‘kërcënoi’ të martën të mos paraqitej në ndeshje pas përmendjes së Kosovës si territor, në vend se si shtet i pavarur, në ‘cicërimën’ e Federatës Spanjolle të Futbollit në Twitter.

El-Pais shkruan se referimi i Kosovës si ‘territor’ nga Federata Spanjolle është bërë pas rekomandimit të Qeverisë përmes Punëve të Jashtme dhe në koordinim me Këshillin e Lartë të Sporteve (CSD).

E përditshmja spanjolle thotë se Federata spanjolle ka siguruar që marrëdhënia e saj me homologun kosovar, është shumë e mirë dhe se këtë të mërkurë presidentët e të dy institucioneve patën një bisedë shumë pozitive dhe të përzemërt, pas së cilës organi që drejton futbollin spanjoll do t’i përmbahet asaj që thonë rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s në termat himnit dhe flamurit.

Federata e Futbollit të Kosovës përmes një komunikate për media, garantoi që ndeshja do të luhet në kushte normale sipas rregullave të UEFA dhe FIFA.

Reagon FFK-ja: Në Spanjë luajmë me himn e flamur, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet