Kryetari i Federatës së Karatesë tregon se përse do t'i hyjë garës për kreun e Komitetit Olimpik të Kosovës

Kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK), Ismet Krasniqi, ka shpallur kandidaturën për të parin e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Zgjedhjet për kryetarin e ri të Komitetit Olimpik të Kosovës priten të mbahen në mars të vitit 2021.

Ismet Krasniqi, në një intervistë për KALLXO.com, ka treguar se si po i ecin punët në Federatën e Karatesë dhe pse ka vendosur që t’i hyjë garës për të parin e KOK-ut.

Krasniqi ka treguar se pse është kandidati i duhur që ta udhëheqë KOK-un për katër vitet e ardhshme.

51-vjeçari pritet ta sfidojë Besim Hasanin, i cili e udhëheq KOK-un që 24 vite (nga viti 1996). Krasniqi ka premtuar se do të ketë transparencë në KOK, duke raportuar për çdo cent të shpenzuar në mandatin e tij. Ai thotë se do t’i sjellë KOK-ut fonde nga jashtë vendit e nuk do t’i pres vetëm investimet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Kryetari i FKK-së kërkon ndihmë nga MKRS-ja transparencë gjatë procesit zgjedhor dhe u premton mbështetje më shumë sportistëve kosovarë gjatë mandatit të tij katërvjeçar.

KALLXO.com: Si po ju ecin punët në Federatën e Karatesë dhe cilat janë zhvillimet e fundit?

Ismet Krasniqi: Deri tash, Federata e Karatesë e Kosovës ka ndërtuar sistem të punës mbi të cilin secili i përfshirë në zinxhirin e kontributit në FKK ka lënë gjurmë të mira në ecjen përpara dhe krijimin e standardeve të reja. Nuk na takon neve të flasim si dhe sa është punuar, por notat e larta të vlerësimit dhe bashkëpunimi me nivelet më të larta të karatesë botërore e ka sjellë karatenë tonë këtu. Normalisht, nëse më pyetni a është kjo e mjaftueshme, unë jam kategorik që Jo. Mirëpo jemi më mirë se dje, e ndoshta më mbrapa nga pika e fokusi ynë ku synojmë të jemi nesër.

KALLXO.com: Si e ka kaluar kohën e pandemisë Federata e Karatesë, a janë zhvilluar ngjarjet sportive të parapara për këtë vit, dhe çfarë keni në plan të zhvilloni për karate?

Ismet Krasniqi: Pandemia globale e COVID-19, si në çdo lëmi tjetër edhe në karate ka lenë pasoja së pari në masovizim e edhe në cilësi, sepse mungesa e aktiviteteve, vendore dhe ndërkombëtare, ul cilësinë por edhe interesimin që të rinjtë të merren me këtë sport. Edhe pse jemi në kohë pandemie, ne jemi munduar të jemi afër klubeve të karatesë me takime online përmes platformave të ndryshme teknologjike. Në këtë formë kemi zhvilluar online edhe një garë në disiplinën e katave, ku garuesit kanë demostruar nga dhomat e shtëpisë apo oborret. FKK ishte federata e parë në Kosovë, e ndër të parat në nivel global që e aplikoi këtë formë të garimit dhe përmes një organizimi shembullor, morëm nota të larta vlerësimi dhe nga Federata Europiane dhe ajo Botërore.

Po ashtu FKK realizoi seminarin treditor për trajnerë dhe gjyqtarë, që u mbajt nga 9-11 tetor 2020. Pjesë e këtij seminari ishin njerëzit kryesorë të këtyre segmenteve të rëndësishme të karatesë botërore, si z. Eduardo Javier Escalante – Kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, njëherit Kryetar I Komisionit për Çështje Sportivë në Federatën Botërore (ËKF) , si dhe z. Robert Hamara, sekretari i komisionit të gjyqtarëve pranë ËKF dhe EKF.

Edhe vikendin e kaluar saktësisht me 1 nëntor 2020, Federata e Karatesë e Kosovës në Istog mbajti turneun Shpresat e Kosovës, garë që ishte paraparë të mbahet në muajin prill, ku ishte një numër i madh i garuesve, afro 400. Ky aktivitet u mbajt gjithnjë duke respektuar protokollin kundër Covid 19 dhe rekomandimet e dala nga IKSHPK-së, pa shikues dhe në orët e caktuara për grupmoshat e ndryshme nga 7 vjeç deri tek seniorët mbi 18 vjeç.

KALLXO.com: E keni vetëshpallur kandidaturën për kryetar të KOK-ut, çka ju shtyri që t’i hyni kësaj gare?

Ismet Krasniqi: Sportin e shohë si mjetin më të fuqishëm diplomatik të një shteti.E fuqia e këtij mjeti, matet nga maja e piramidës së organizimit.Duke e zhvilluar edhe Komitetin Olimpik dhe sportin në Kosovë, mund te ndihmojmë edhe shtetin në shumë aspekte, siç janë marrëdhëniet ndërkombëtare me shtetet qe e kanë pranuar dhe se kanë pranuar Kosovën, zhvillimi i PR-it dhe imazhit të Kosovës, zhvillimi i turizmit në Kosovë duke organizuar ngjarje ndërkombëtare etj.

Kjo është dëshmuar falë sukseseve të sportistëve tanë edhe në të kaluarën, por me një rol akoma më të fuqishëm të Komitetit Olimpik të Kosovës, ky efekt do të ishte shumëfish më i madh. Tashmë në dekadën e parë të pranimit në organizmat ndërkombëtar, Komiteti Olimpik i Kosovës do të duhet ta ketë një dimension tjetër strategjik dhe të zhvillimit, për çka unë së bashku me ekipin që kam afër, ia kemi vënë cak vetes ta ndërtojmë.

KALLXO.com: Pse mendoni se jeni kandidati i duhur për ta drejtuar KOK-un?

Ismet Krasniqi: Duke respektuar gjithë punën qe Komiteti Olimpik ka bërë deri sot, qe është një moment për ndryshime dhe për një energji te re e cila mund te sjell Komitetin Olimpik në një tjetër nivel te zhvillimit organizativ, kapaciteteve njerëzore dhe fuqisë financiare.

Prapa çdo individi, madje edhe në nivelin e presidentëve të vendit, qëndrojnë ekipet e njerëzit e shumtë, që e ndihmojnë procesin. E them këtë për të shfrytëzuar rastin të njoftoj opinionin se edhe mbrapa meje është një ekipë e jashtëzakonshme e profesionistëve. Parimet e mia jetësore dhe profesionale gjithmonë kanë qenë në funksion të punës së suksesshme ekipore, e cila është predispozitë për punë të mirë e të suksesshme. Unë do te punoj me plan strategjik, me transparence maksimale dhe në shërbim te sportit te Kosovës për te mirën e gjithëve. E vë veten time në shërbim të komunitetit sportive dhe besoj se kjo do të kuptohet drejtë nga Federatat, sepse me një lëvizje të fortë olimpike në vend, përfitimet e para do t’I ndjejnë pikërisht Federatat dhe sportistët.

 KALLXO.com: Komitetin Olimpik të Kosovës e udhëheq Besim Hasani prej vitit 1996-të, çfarë do të thotë kjo për juve që ta sfidoni Hasanin, i cili është pjesë e KOK-ut që 24 vite?

Ismet Krasniqi: Gjithnjë kam respektuar punën dhe sakrificën e njerëzve që kanë kontribuar në dekadat më të vështira për kombin tonë, në sportin e këtij vendi, i cili ka qenë e vazhdon të mbetet më shumë se sport, në rolin që e ka pasur në promovimin e vlerave të Kosovës.

Unë dhe Besim Hasani, të dy vijmë nga i njëjti sport – karateja. Ardhja ime në krye të Komitetit Olimpik, vetëm sa do e zgjerojë rrethin e bashkëpunëtorëve dhe përfshirjen e njerëzve të vullnetit të mirë, që duan të kontribuojnë në lëvizjen olimpike. Barometri më i mirë sesa lehtë kalohen sfidat kur ka dëshirë e vullnet për punë të mirë, është puna që është bërë në Federatën e Karatesë të Kosovës. Mbështetja e 90% të klubeve për të ma besuar edhe një mandate tjetër është vlerësimi më i mirë që të tjerët mund ta bëjnë për punën që është bërë.

Kjo punë nuk kaloi pa u vërejtur edhe nga të tjerët, të cilët më mbështetën në kampanjën për nënkryetar të KOK-ut, e ku për një votë, arriti ta merrte këtë post, kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës. Pra, kam shumë energji pozite dhe vullnet për ndryshime, të cilat në aspektin pozitiv do ta prekin çdo Federatë dhe sportistë, që është pjesë e KOK-ut

KALLXO.com: Cili është synimi i juaj nëse e merrni kryesimin e KOK-ut?

Ismet Krasniqi: Sportistëve, trajnerëve, gjyqtarëve dhe gjithë punëtorëve sportivë e njerëzve të përfshirë në këtë rreth duhet t’u kthehet dinjiteti. Për sportin e sportistët nuk duhet të flasim vetëm kur kjo na nevojitet, për poena personal. Kjo arrihet vetëm duke rritur buxhetin, duke synuar që së shpejti ta bëjmë një organizatë tërësisht të pavarur, si dhe duke ofruar transparencë të plotë për çdo cent të harxhuar nga Komiteti Olimpik.

Komiteti Olimpik, në të ardhmen duhet të ketë dorë edhe në projektet e mëdha infrastrukturore, që të jetë trampolinë e fondeve të marra nga organizatat botërore. Deri tash jemi fokusuar vetëm në investimet nga MKRS, e cila sipas mendimit tim nuk është e mjaftueshme dhe duhet sa më shpejtë të gjenden alternative, sepse ato ekzistojnë, vetëm duhet të dimë si ti marrim e t’i sjellim fonde sportit kosovar.

KALLXO.com: Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka lëshuar një qarkore ku thotë se deri në mars të vitit 2021 duhet të zgjidhet kryetari i  ri i KOK-ut. A mendoni se mund të ketë parregullsi në këtë proces?

Ismet Krasniqi: Proceset zgjedhore, të çfarëdo organizate, i konsideroj të shenjta. Në komunitetin e sportit posaçërisht, këto procese janë të ndjeshme dhe tendenca për të pasur parregullsi do të jetë e papranueshme dhe në këtë aspekt, presim mbështetjen e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, përkatësisht Departamentit të Sportit.

KALLXO.com: Çka u premtoni sportistëve nëse do të jeni në krye të KOK-ut për katër vitet e ardhshme?

Ismet Krasniqi:  Sportistëve mund t’ju premtoj se do te punojmë strategjikisht duke ndihmuar, mbështetur edhe zhvilluar federatat, rrjedhimisht duke përmirësuar kushtet për sportistët. Në Kosovë sot sportistet kanë shumë nevoja dhe duhet të fillohet nga minimum, i cili është të kryhen kushtet infrastrukturale dhe financiare, po gjithashtu të investohet tek profesionalizmi dhe avancimi i trajnerëve në Kosovë. Jam i bindur qe vetëm me një bazë të shëndoshë dhe të fuqishme të trajnerëve në Kosovë mund t’i ndihmojmë sportistëve te zhvillohen në kushte adekuate. Kosova ka nevojë për investime infrastrukturale, të cilat do t’i potencojmë në bisedimet që do t’I kemi me përfaqësuesit shtetërorë, e duke i dhënë rendësi më të madhe sportit.

Poashtu edhe duke shfrytëzuar projekte dhe fonde ndërkombëtare,  të cilat janë mundësi reale për t’i ndihmuar Kosovës në zhvillim serioz. Komiteti Olimpik duhet të ketë rol më proaktiv në këtë fushë e të jetë më këmbëngulës duke u imponuar me profesionalizëm, për të mundësuar ardhjen e financimeve ndërkombëtare në Kosovë sa i përket sportit.  Gjithashtu, sportistëve ju premtoj që Komiteti Olimpik do të jetë derë e hapur për të gjithë, për diskutimin e problemeve dhe për t’i ndihmuar në zgjidhjen e tyre, normalisht duke respektuar maksimalisht strukturën, hierarkinë dhe pozitën e federatave.