Sportistët që nuk u lejuan të hynë në Qipro, duke pritur në mes të rrugës në Greqi

Nëna e karateistes 16 vjeçare thotë se Sekretari i Federatës i la fëmijët pa përkujdesje në kufi me Greqinë, Gashi e mohon

Kadishe Shabani nga Ferizaj, po pretendon se sekretari i Federatës së Karatesë së Kosovës i ka lënë për më shumë se 3 orë pa përkujdesje rreth 15 sportistë të cilët ishin nisur për në Qipro që të merrnin pjesë në një kampionat të karatesë.

E gjithë situata sipas saj kishte ndodhur kur autoritetet e Qipros nuk i kishin lejuar të kalojnë kufirin një pjee të sportistëve të Kosovës për shkak të vizave.

Ajo ka thënë se sekretari i Federatës i ka lënë pa përkujdesje rreth 15 sportistë në mes të rrugës, përfshirë edhe vajzën e saj të moshës së mitur.

Kadishe Shabani ka treguar për KALLXO.com se vajzës së saj 16 vjeçare dhe një pjese të tjetër të garuesve nuk i është lejuar kalimi i kufirit për shkak të dokumentacionit.

“Kur kanë shku në Greqi nuk i kanë lënë me dalë në kufi në anën tjetër. Një pjesë të garuesve i kanë lënë me kalu kufirin dhe një pjesë nuk e kanë lënë, i kanë kalu vetëm ata që i kanë vizat e Kroacisë”, ka thënë Shabani.

Gjithashtu ajo tha se fëmijët kanë qëndruar në kufi përreth tre orë nën përgjegjësinë e askujt dhe se sipas saj nisja e garuesve do të bëhej me aeroplan nga Prishtina në Turqi për të vazhduar më pas në Qipro.

“Në orë të vona unë e marr vesh që fëmija im ka me udhëtu me autobus edhe tregojnë që trajnerët nisen në ora 11 të natës, fëmijët i nisim në ora 4 të mëngjesit”, është shprehur ajo.

Ndër të tjera, Shabani është ankuar se sekretari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi fëmijët që nuk e kanë kaluar kufirin i ka lënë të vetëm, për të vazhduar me pjesën tjetër të garuesve në Selanik.

“Më ka thirrë vajza në telefon dhe më ka thënë që ‘na kanë kthy e nuk po na lejojnë me kalu’ dhe e kam pyet se a është me ndokënd, më ka thënë që jemi vetë. Nuk ka as lokal asgjë këtu, në rrugë jemi, më ka thënë vajza. Diku rreth 15 fëmijë i kanë lënë pas”, ka deklaruar Kadishe Shabani për KALLXO.com.

Më pas Shabani tha se ajo kishte kontaktuar me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqin dhe ia ka shpjeguar rastin.

“Kryetari e ka thirrë Nazminë dhe i ka thënë kthehuni të gjithë për në Kosovë dhe mbas tre orëve kthehen të gjithë dhe në kufi i marrin edhe këta tjerët dhe kthehen të gjithë për në Kosovë”, ka thënë Shabani.

KALLXO.com ka kontaktuar me sekretarin e Federatës së Karatesë, Nazmi Gashi i cili ka thënë se, garuesit kanë qëndruar në kufi deri sa një pjesë tjetër të garuesve i kanë dërguar në aeroport për të qenë në kohë për fluturim.

“Këto janë spekulime. Ata nuk janë të vegjël, kanë qenë të gjithë të rritur. 12 tjerë që i kemi pasë me viza shengen nuk i kan leju me kalu, deri në momentin e fundit jon mundu me nxonë aeroplanin. Kjo periudha deri sa kanë shku ata me i dërgu në aeroport, atë pjesë këta e kanë konsideru si të lënë vetëm por, kanë qenë 20 garues bashkë të moshës 15 deri në 21 vjeç duke qëndru në kufi”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Po ashtu ai tha se e njëjta pikë kufitare i ka lejuar të njëjtit garues që të kalojnë edhe në të kaluarën.