Kosova me shumë mungesa kërkon fitore ndaj Greqisë

Stadiumi “Fadil Vokrri”, do të jetë nikoqir i ndeshjes Kosovë – Greqi, që luhet sot nga ora 20:45, në kuadër të Ligës C, në Grupin 3, në Ligën e Kombeve.

Kombëtarja e Kosovës ndeshjen e parë nuk e nisi mirë, pasi barazoi me rezultat 1-1, si mysafir ndaj Moldavisë. ‘Dardanët’ për këtë ndeshje llogariteshin favorit, por ashtu nuk doli në fushën e lojës.

Trajneri Bernard Challandes, për ndeshjen e sotme nuk mund të llogarisë në 10 lojtarë, të cilët disa nuk janë lejuar të vijnë në Kosovë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe disa prej lëndimeve.

Herolind Shala, Elbasan Rashani, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Idriz Voca, Benjamin Kololli, Florent Muslija, Leart Paqarada, Vedat Muriqi dhe Edon Zhegrova janë mungesat e mëdha të Kosovës.

Me këto mungesa, trajneri zvicerian, Bernard Challandes, duhet të mendojë për një formacion më të mirë për ndeshjen e sotme.

69 vjeçari zvicerian të shtunën në konferencë për media, insistoi se ndaj Greqisë do të kërkojë vetëm fitore.

“Në filozofinë time ne luajmë gjithmonë për fitore.  Nuk do të hymë për barazim, sepse në filozifinë time të punës vetëm në këtë formë shkojmë përpara, por nuk do të thotë se nuk do të jemi të kënaqur edhe me ndonjë rezultat tjetër. Duhet ta kemi parasysh që nuk po përballemi me një aspekt jo të lehtë me lojtarët individual. Ka shumë faktorë që duhet t’i marrim parasysh që mund të ndikojnë dhe në bazë të këtyre faktorëve duhet ta përgatis ndeshjen për nesër. Nëser do ta kërkojmë fitoren ndaj një kundërshtari të fortë siç është Greqia”, ka deklaruar Challandes të shtunën në konferencë për media.

Greqia po ashtu nuk e ka nisur mirë ketë grup, pasi ka barazuar me rezultat 0-0, ndaj Sllovenisë.

Trajneri i grekëve John van’t Schip, nuk mund të llogaritë në lojtarë si Kostas Manolas (Napoli), Sokratis (Arsenal) dhe Tsimikas (Liverpool).

Challandes pritet të bëj disa ndryshime të detyrueshme për këtë ndeshje.

Florent Hadergjonaj do të luajë në krahun e majtë, Ibrahim Dresevic pritet të luajë në mesfushë së bashku me Valon Berishën. Bersant Celina po ashtu do të jetë startues së bashku me Florent Hasanin dhe Arbër Zenelin të cilët do ta përkrahin në sulm Atdhe Nuhiun.

Formacioni i mundshëm i Kosovës: Muric, Vojvoda, Rrahmani, Aliti, Hadergjonaj, Dresevic, V.Berisha, Hasani, Celina, Zeneli, Nuhiu.

Kujtojmë se ndeshja do të luhet pa praninë e tifozëve për shkak të situatës së krijuar nga coronavirusi.