Komuna e Mitrovicës rikthen në pronësi qendrën sportive “Fatime Xhaka”

Qendra Sportive “Fatime Xhaka” i është kthyer në pronësi Komunës së Mitrovicës.

Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport pas një vizite të qendrës nga drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport Valdete Idrizi, dhe drejtori i Drejtorisë së Prokurimit, Elvis Feka.

“Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Prokurimit, Elvis Feka, sot kanë vizituar qendrën sportive “Fatime Xhaka” në rrugën “Adem Voca”, Mitrovicë. Nga kjo vizitë ata kanë bërë të ditur se nga sot zyrtarisht Komuna ka kthyer në pronësi të saj qendrën sportive “Fatime Xhaka”, pas shkëputjes së kontratës e cila ishte dhënë në shfrytëzim deri në vitin 2028”, thuhet në njoftim.

Po ashtu drejtoresha Idrizi ka potencuar se qendrës sportive “Fatime Xhaka” do t’i rikthehet funksioni që e ka pasur më parë për të zhvilluar aktivitetet sportive, kulturore, si dhe garat shkollore.

Gjithashtu gjatë vizitës u theksua se Komuna e Mitrovicës brenda mundësive reale buxhetore dhe përmes donatorëve të ndryshëm së shpejti do të fillojë me renovimin e kësaj qendre sportive.