Foto ilustrim. Burimi Faqja zyrtare e Dritës në Facebook
Drita: Kosovarët që po shkruajnë historinë
Kampionët e Kosovës po përgatiten për sfidën e tyre në fazën eliminatore të Ligës së Konferencës së UEFA-s me mundësinë që ta vazhdojnë serinë e tyre historike, duke mbajtur mbi supe shpresat jo vetëm të klubit, por edhe të mbarë vendit, shkruan faqja zyrtare e UEFA-s.
“Për të qenë plotësisht i sinqertë, nuk e menduam kurrë se do të merrnim tetë pikë pas katër ndeshjeve tona të para – nuk e mendova as unë, as lojtarët” – ka thënë trajneri i Dritës, Zekirja Ramadani.
Duke qenë se është vetëm klubi i dytë kosovar që arrin fazën e ligës ose fazën e grupeve të një gare të madhe të UEFA-s, kryetrajneri Ramadani ishte i vetëdijshëm për sfidën me të cilën përballej skuadra e tij para Ligës së Konferencës UEFA të këtij sezoni.
Por një seri mbresëlënëse prej dy barazimesh dhe dy fitoresh u siguroi gjilanasve vend në fazën eliminatore – dhe rrjedhimisht në vend në librat e rekordeve si klubi i parë nga Kosova që kaloi në fazën eliminatore të një gare klubesh të meshkujve të UEFA-s.
Pavarësisht pritjeve, nuk kishte asnjë sugjerim se Drita do t’ia lejojë vetes të ngarkohet prej peshës së historisë.
“Madje mund të flas edhe në emër të pronarëve tanë – as ata nuk e prisnin. Por ne punuam pa u lodhur” – ka shtuar Ramadani.
“Jam i bindur se suksesi nuk vjen thjesht kështu; ai duhet të meritohet dhe jam i bindur se e kemi merituar këtë sukses”.
“Kualifikimi për në Europë është shumë, shumë i rëndësishëm për ne si komb – jo vetëm si klub”, ka theksuar Faton Maloku, portier i Dritës.
“Është ëndërr të jesh pjesë e një turneu evropian”
Ndërmjet Dritës dhe kalimit në raundin e 16-të është skuadra sllovene, Celje.
Para ndeshjes së parë, që do të luhet më 19 shkurt, i lartë është besimi se ata mund të vazhdojnë ecurinë e shkëlqyer:
“Ne kemi cilësinë dhe vullnetin që të kalojmë play-offin” – ka thënë kapiteni Rron Broja, i cili është frymëzuar nga mundësia që të garojë në skenën europiane.
“Të jesh pjesë e Ligës së Konferencës do të thotë shumë, për ekipin dhe për tifozët e Dritës” – ka shtuar Broja.
“Për një futbollist të lindur dhe të rritur në Kosovë, ka qenë gjithmonë ëndërr të jetë pjesë e një turneu europian dhe mendoj se kjo është një nga arritjet e mia më të mëdha”.
Krenari kombëtare
Arritja në raundin e 16-të të Ligës së Konferencës do të përfaqësonte një moment historik jo vetëm për klubin, por për të gjithë futbollin kosovar.
Pavarësisht rezultatit kundër Celjes, ka shumëçka për të festuar në suksesin e Dritës.
“Ne e kemi bërë të gjithë Kosovën krenare dhe është një përgjegjësi e madhe të veshësh këtë fanellë” – e pranon Broja.
Dhe portieri Faton Maloku pajtohet: “Kualifikimi për në Europë është shumë, shumë i rëndësishëm për ne si komb – jo vetëm si klub” – ka thënë ai.
“Ne kemi një histori të madhe, e cila ka përfshirë disa kohë shumë të vështira. E gjithë kjo është si shpërblim për sakrificat e njerëzve që kaluan nëpër ato ngjarje”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com