Vukovari: qyteti që flet përmes heshtjes

Vizita në Vukovar nuk është thjesht një udhëtim për një tandem nga Kosova. Është një përballje me historinë, e cila na ka paralajmëruar se çfarë mund të ndodhë edhe tek ne.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye vendosëm ta vizitonim së bashku me Jetën me të cilën kemi punuar si gazetare gjatë luftës në Kosovë. Tash kur e kemi realizuar një muze që dokumenton luftën në Prishtinë, në Vukovar shkuam për të krahasuar, për të kuptuar se ku jemi ne dhe si e kanë prezantuar kroatët të vërtetën e tyre.

Ky qytet ndodhet shumë afër kufirit me Serbinë dhe, si i tillë, ishte ndër të parët që u përball me luftën e plotë pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë në vitin 1991. Gjatë betejës që zgjati rreth tre muaj, Vukovari u bombardua pa ndërprerje nga forcat jugosllave dhe serbe, duke u shkatërruar pothuajse tërësisht. Lufta la pas rreth 3,000 viktima, pushtim të territorit që iu kthye Kroacisë vetëm në vitin 1998, si dhe shumë të burgosur që u dërguan në kampe në Vojvodinë dhe zona të tjera në Serbi. Edhe sot, qindra persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Por sot, ky qytet i vogël me rreth 20,000 banorë është shndërruar në një qendër të rëndësishme kujtese, me disa muze dhe memoriale që vizitohen nga nxënësit kroatë, sidomos të klasave të teta, si pjesë e kurrikulës shkollore. Gjatë këtyre vizitave, ata udhëhiqen nga guida dhe shpesh edhe nga veteranë të luftës, të cilët u tregojnë brezave të rinj për “Luftën për Mëmëdhe” (Domovinski rat), emër me të cilin kroatët e përshkruajnë luftën e tyre për pavarësi nga ish-Jugosllavia.

Udhëtimi drejt një historie të gjallë

Qëlluam që ateruam në aeroportin Franjo Tugjman në njërën prej ditëve me shumë stuhi në Kroaci.

U takuam me makinën tonë picirruke të rezervuar me renta-car, për ta vozitur mbi 3 orë deri në Vukovar. Me ta parë e kuptuam se kjo makinë ishte më tepër e përshtatshme për turistë bregdetarë, e vogël dhe me goma vere. Fotografia online kishte qenë krejt ndryshe, dhe ne u ndjemë si amatorë që i besojnë internetit.

U detyruam të kërkonim një zgjidhje më të sigurt për atë kohë, goma dimri, fshesa funksionale dhe drita të mira. Edhe pse moti ishte i rëndë, me shi të pandalur, kjo nuk na ndaloi. Në mendje kishim gjithçka që kishim lexuar e dinim për Vukovarin.

Nuk ka kuptim që ne të ndalemi nga një shi i rreptë, kur ata njerëz i kanë bërë ballë për tre muaj ushtrisë më të madhe në rajon.

Rrugës i tregoja bashkudhëtares sime për bisedat e dikurshme me Bekim Berishën- Abejen, të cilin e pata takuar në vitin 1998 në Tiranë. Më kishte folur për Vukovarin dhe luftën e tij në Kroaci. Për këtë qytet fliste më shumë me brengë se sa me krenari. Ishte me frikë se mos qytetet tona do ta përjetonin të njëjtin fat si Vukovari.

Dhe ja ku ishim, qyteti që natën dukej jashtëzakonisht romantik na priti në heshtje. Me të hyrë në Vukovar ajo që të godet nuk është zhurma, por qetësia. Ishte gati ora 10 e natës, por restorantet i kishin mbyllur kuzhinat.

Kishim lexuar për urinë që i kishte kapluar njerëzit gjatë tre muajve të rrethimit, dhe na u duk se do t’i përjetonim vizitat në memoriale edhe më thellë, nëse flinim me bark bosh. Ndoshta kështu do të mund t’ua ndjenim sadopak atë që kishin përjetuar njerëzit e vendit.

Memoriali i Luftës, dokumentimi i së vërtetës

Vjen mëngjesi dhe na përcjell një shi më i imët. Vendosim të vozisim rreth e përqark dhe t’i shohim nëse shtëpitë janë ashtu siç i kishim parë nëpër foto. A kanë mbetur gjurmë të luftës?

Në Vukovar shtëpitë ishin rindërtuar, por çdo e dhjeta dukej ndryshe, tre mure të renovuara, ndërsa i katërti i lënë i paprekur, krejtësisht i shpuar nga predhat. Plagët në mure ishin të mjaftueshme për t’i dhënë çdo kalimtari rasti shenjë të qartë se ku ndodhej.

Vizitën e nisëm në Qendrën Memoriale të Luftës së Mëmëdheut, një kompleks i vendosur pranë lumit, në disa ndërtesa të ish-kazermave të Brigadës 204.

Te dera na priti një ushtar, i cili na legjitimoi dhe ftoi një ushtare të na shoqëronte gjatë vizitës.

Dy të tretat e hapësirës së këtij muzeu janë hapësira të hapura. Pamë tanke dhe mjete të blinduara, artileri dhe pajisje luftarake reale, si dhe simulime të fushëbetejës me llogore dhe pozicione. Një detaj që të godet është prania e autobusëve të hekurt të kthyer në salla spitalore, me të cilët janë transportuar të plagosurit. Këto elemente e bëjnë përvojën reale, thuajse të prekshme.

Një prej gjërave të para që thotë ushtarja është e kundërta e glorifikimit dhe zmadhimit: “Mos mendoni që këto mjete ushtarake që po i shihni i kemi pasur gjatë rrethimit; këto janë krejt mjete që i kemi konfiskuar pas çlirimit, dhe shumica e tyre janë marrë nga rajonet e Kroacisë ku ushtria jonë ka korr fitore, jo këtu.”

Pra, Vukovari si qytet ka rezistuar me popullatë civile që është arnuar me armatim, por në fund ka rënë dhe është okupuar nga forcat serbe, ndërsa kroatët që kanë mbijetuar janë dëbuar.

Prandaj pamja fillestare, nëse nuk do ta kishim shoqëruesen, do të na mashtronte duke na bindur se kemi të bëjmë me një fitore ushtarake. Në të vërtetë ishte e kundërta, dhe këtë do ta kuptonim vetëm kur të hynim në hapësirat e brendshme.

Ekspozita muzeale brenda objektit paraqet një pasqyrë të plotë të luftës: dokumente origjinale, fotografi dhe video reale nga rrethimi i Vukovarit. Aty gjenden uniforma dhe sende personale të ushtarëve, si dhe dëshmi të civilëve dhe të mbijetuarve. Qëllimi është i qartë të tregojë historinë reale dhe përvojën njerëzore të luftës.

Në të njëjtën hapësirë shihen edhe armë dhe pajisje ushtarake, armë këmbësorie nga lufta, pajisje të përdorura në vitet ’90 në Kroaci, si dhe një ekspozitë e detajuar për betejën e Vukovarit. Një dimension që, sinqerisht, të jep ndjesinë që ende mungon në Kosovë për nga detajimi dhe dokumentimi. Gjithashtu, ka pjesë edukative për operacionet ushtarake “Stuhia” dhe operacioni “Vetëtima” të prezantuara në mënyrë të strukturuar dhe të kuptueshme.

Bodrumi është improvizuar për të treguar rrëfimin e mbi 3,000 burrave kroatë që janë marrë nga Vukovari kur qyteti ra dhe janë dërguar në kampe të të burgosurve në Serbi. Aty ekspozohen rekonstruksione të burgjeve Stajićevo dhe Begejci në Vojvodinë, që ndihmojnë për të kuptuar më mirë burgosjen dhe trajtimin e robërve të luftës.

Përveç të burgosurve, pjesa më moderne e ekspozitës i takon invalidëve të luftës dhe veteranëve të saj. E kuruar me kujdes të skajshëm, ajo paraqet veteranët e gjymtuar të fotografuar nën të njëjtin prizëm drite, si në një studio mode, pa turp e pa komplekse, duke i paraqitur gjymtimet e trupit të tyre me krenarinë e luftës për vendin e tyre.

Më 25 gusht 1991, Ushtria Popullore Jugosllave, e ndihmuar nga forcat e Mbrojtjes Territoriale serbe dhe paraushtarakë nga Serbia, filloi një sulm të plotë ndaj Vukovarit. Filloi një rrethim që zgjati rreth 87 ditë dhe la me mijëra të vrarë ushtarë dhe civilë.

Gjatë rrethimit, qytetarët u detyruan të strehoheshin në bodrume, duke u përballur me bombardime të vazhdueshme, ndërsa mungonin uji, energjia elektrike dhe ushqimi.

Veteranja që na priti, zonja Ubčič, ishte 21-vjeçare kur ndodhi lufta. “Për tre muaj para sulmit dëgjonim herë pas here të shtëna, por na ishte bërë normale… Derisa një ditë, duke pirë kafe me një shoqe, filloi sulmi i vërtetë. U ndal uji dhe dritat… dhe filluam të fshiheshim në bodrume.”

Ajo tregonte se shtëpitë ishin bërë të pabanueshme nga granatimet, ndërsa njerëzit jetonin në frikë të vazhdueshme. Mungesa e ushqimit ishte e përditshme. Një tjetër dëshmi përshkruante jetën nën rrethim: nuk mund të dilje jashtë, predhat binin vazhdimisht. Në disa bodrume, njerëzit ishin të ndarë sipas përkatësisë etnike.

Një e vërtetë e rëndë.

Beteja për Vukovarin ndodhi disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë. Shteti i sapoformuar ende nuk kishte arritur të konsolidonte një ushtri të fortë, prandaj qytetarët e thjeshtë kroatë u mobilizuan për të mbrojtur qytetin. Vukovari kishte qenë një qytet me përbërje të përzier etnike: kroatë (rreth 47%), serbë (rreth 32%), jugosllavë (rreth 9%), hungarezë (rreth 2%) e të tjerë.

Ushtria kroate në fazat e para ishte e angazhuar në fronte të tjera dhe nuk kishte kapacitet të mjaftueshëm për të ndihmuar mbrojtësit e Vukovarit. Njerëzit u detyruan të organizoheshin për vetëmbrojtje, pa ushtri dhe pa armatim të mjaftueshëm.

Ndërkohë, forcat serbe po fitonin territor dhe rrugët po mbylleshin, duke e bërë të pamundur arratisjen. “Shumica e njerëzve që vdiqën u vranë në rrugë ose në makina, nga copëzat e predhave.” Mbrojtja e Vukovarit u organizua nga vullnetarë dhe qytetarë të zakonshëm që ngritën pozicione mbrojtëse për të mbrojtur qytetin e tyre.

Zonja Ubčič iu bashkua forcave të armatosura kroate pas rënies së Vukovarit. I shpëtova luftës në qytetin tim, për të vazhduar luftën për vendin tim, që tashmë e kisha mision.”

Kulla e Ujit – simboli që nuk u rrëzua

E ndërtuar në vitin 1968 si kullë furnizimi me ujë, ajo mori një kuptim krejt tjetër gjatë rrethimit të Vukovarit. U godit me qindra predha, por nuk u rrëzua.

Gjatë luftës, kulla u godit më shumë se 600 herë. Ajo ishte një nga objektivat kryesore, u dëmtua rëndë, por mbeti ende vertikalisht. Kësaj kulle iu deshën gati 30 vjet pas luftës për t’u restauruar. Në vitin 2022 ajo u restaurua me ndihmën e mbi 6,000 qytetarëve që dhanë donacione, dhe emrat e tyre janë shënuar në hekur, nën majën e flamurit, përreth kullës.

Gjatë restaurimit janë ruajtur edhe goditjet që kishin lënë vrima në muret e saj. Këto vrima janë mbuluar me xham nga brenda dhe sot shërbejnë për të mundësuar pamje nga lartësia të qytetit dhe të Danubit. Vrimat nga predhat nuk janë mbuluar, sepse ato janë pjesë e historisë.

Brenda kullës ndodhet një ekspozitë multimediale për rrethimin e Vukovarit si histori dhe dëshmi e luftës. Kjo kullë është e rëndësishme sepse është simbol i sakrificës dhe rezistencës. Është një nga vendet më të vizituara në Vukovar dhe mbetet një kujtesë e gjallë e asaj që ka ndodhur. Është një nga ato vende që të prek emocionalisht, sidomos kur e sheh nga afër se sa e goditur është ende.

 

Spitali bodrum, vendi ku jeta luftonte me vdekjen

Pas kullës, vendi tjetër për t’u vizituar është Spitali i Vukovarit, pjesa përkujtimore. Në Spitalin Memorial të Vukovarit kuptuam se çfarë do të thotë të shpëtosh jetë si profesionist shëndetësor, edhe atëherë kur jeta jote është në rrezik të njëjtë me atë të pacientëve.

Bodrumet e spitalit gjatë luftës u kthyen në hapësira operimi. Qirinj në vend të energjisë elektrike, pacientë në korridore, bombardime pa ndërprerje.

Mjekët punonin pa kushte, pa mjete, vetëm me një qëllim: të shpëtonin jetë. Korridori me emrat e të zhdukurve të çon drejt një të vërtete që të rëndon në shpirt. Spitali u bë shënjestër e ushtrisë serbe.

Shumë nga banorët jetuan në spital, së bashku me gra dhe fëmijë të tjerë, deri në rënien e qytetit në nëntor. Të plagosurit vinin në spital deri ditën e fundit.

Sot, një pjesë e bodrumit të spitalit është muze, ndërsa ngjitur me të vazhdon të funksionojë spitali i qytetit. Pra, përtej dyerve të muzeut, jeta vazhdon dhe ripërtërihet.

Në këtë hapësirë muzeale, në pllakat e korridorit janë emrat e të gjithë atyre që u morën peng (pacientë, punonjës të spitalit, gazetarë dhe të strehuar) kur Vukovari ra. Qindra njerëz përfunduan të vrarë në Ovçara, një fermë bujqësore disa kilometra larg qytetit.

Prandaj vendosëm të udhëtojmë edhe 10 km larg Vukovarit për të vizituar Ovçarën.

 

Ovçara: aty ku heshtja flet më shumë se fjala

Hyrja për në Ovçara tregon se bëhet fjalë për një ish-kooperativë të madhe bujqësore në ish-Jugosllavi. Edhe sot, dhjetëra hangarë shtrihen në këtë peizazh. Këta hangarë janë përdorur për të mbajtur pengjet, të cilët më pas janë vrarë.

Brenda memorialit ftohesh të shohësh tokën e ndriçuar në skaje, ku mbi fijet e kashtës mund të dallohen gjësendet e të vrarëve që janë gjetur pas krimit. Mes tyre edhe akreditimi i Branimir Polovinës, gazetarit të Radio dhe gazetës së Vukovarit, i cili kishte raportuar për luftën.

Polovina ishte vrarë në Ovcarë.

Dyshemeja e memorialit është e mbuluar me plumba të gjetur në hangar. Aty kupton se në këta hangarë njerëzit janë torturuar dhe vrarë, gjithsej 261 persona. Prej aty, simbolikisht, ata “nisen drejt yjeve”, të cilët janë improvizuar në tavanin e memorialit përmes dritave të vogla që ndriçojnë hapësirën.

Kur i tregojmë stafit të memorialit prej nga vijmë, na urojnë fitoren në futboll kundër Sllovakisë dhe shprehin shpresën që ne të arrijmë të kualifikohemi në kampionat.

Para se të marrim rrugën kryesore nga Ovçara, nuk mund të mos ndalemi te varrezat memoriale të luftës, të rregulluara me gjelbërim të bukur dhe të rrethuara me pisha të vogla, ku prehen të vrarët gjatë rrethimit të Vukovarit në vitin 1991.

Aty murmurisim nëpër dhëmbë pse në varrezat tona të dëshmorëve shpesh dominon betoni, çimentoja e mermeri, pa asnjë gjelbërim.

Udhëtimet më të paharrueshme janë ato që të prekin emocionalisht, sepse nuk janë vetëm vende që i viziton, por histori që i merr me vete. Dhe Vukovari është pikërisht ky një qytet që nuk flet me zë, por që të dëgjohet thellë në shpirt!