Bernard Berisha thotë se duhet të fitojnë ndaj Çekisë, pasi nuk kanë zgjidhje tjetër (VIDEO)

Sot kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur stërvitjen e katërt para ndeshjes ndaj Çekisë, e cila luhet të shtunën prej orës 15:00.

Në konferencë për media u paraqitën Bernard Berisha dhe Florent Hasani.

Bernard Berisha ka thënë se është kënaqësi që të jetë pjesë e Kosovës dhe thotë se është i gatshëm që të luaj si titullar ndaj Çekisë.

“Për mua gjithmonë është kënaqësi të jem pjesë e Kosovës, pavarësisht se a ftohem a jo, kryesorja është Kosova me ecë përpara. Trajneri dhe të gjithë e dinë se unë jam në formë dhe dua ta jap më të mirën për Kosovën. Nuk e di pse nuk më është dhënë mundësia akoma në ndeshje zyrtare, e kam prit këtë moment, është momenti im trajneri e di që unë jam këtu për lujt dhe shpresoj që ka me ndihmu Kosovën dhe shpresoj që të arrijmë një fitore”, ka thënë sulmuesi anësor.

Berisha ka thënë se ndaj Çekisë nuk kanë opsion tjetër përveç fitores.

“Realisht kemi shumë mungesa, por këtu kemi shumë talenta, Çekia është favorite, por ne do të mundohemi që me arrit me fitu lojën, pasi nuk kemi tjetër zgjidhje. Synimi jonë është që të fitojmë dhe t’i bëjmë të gjithë krenarë,” përfundoi Berisha.