Albin Tahiri plotëson kriteret e nevojshme për normën e katërt olimpike ‘Pekini 2022’

Skitari kosovar Albin Tahiri sot ka plotësuar kriteret e nevojshme për normën olimpike ‘Pekini 2022’ në disiplinën e lëshimit.

Tahiri e ka çuar në katër numrin e kritereve të nevojshme për ketër disiplinat e skijimit alipin si: lëshim, kombinim alpin, sllallom të madh dhe sllallom. I ka mbetur vetëm edhe super sllallomi i madh.

Albin Tahiri ka bërë të ditur se i duhet edhe një rezultat për super sllallomin e madh për të siguruar kriteret në të gjitha disiplinat. Ai ka shtuar se këtë garë do ta lë për sezonin e ardhshëm.

“Po, sot plotësova kriteret edhe në lëshim. Më duhet vetëm edhe një rezultat për super sllallomin e madh për të siguruar kriteret në të gjitha disiplinat. Këtë do ta lë për sezonin e ardhshëm”, tha Tahiri për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Paraqitja e sotme në garën e Tarvisios së Italisë, ishte ndër më të mirat në karrierën e tij.

Ai sot pati dy gara në lëshim. Në të parën doli i 16-ti nga 72 garues, ndërsa në të dytën i 11-ti. Madje, në garën e dytë kishte vetëm 1.9 sekonda më shumë se sa vendi i parë, që sipas tij është rezultati më i mirë ndonjëherë për të.