
Foto: Kosovo Olympic Committee / Facebook
Përfundojnë garat për garuesit nga Kosova në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin
Kanë mbaruar garat për garuesit nga Kosova në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin.
Gara e fundit i takoi skitarit Albin Tahiri që në disiplinën e sllallomit zuri vendin e 37-të.
“Skitari ynë ishte i 44-ti në lëshimin e parë, ndërsa në të dytin bëri ngritje, falë edhe largimit nga shtegu të disa prej garuesve. Në total morën pjesë 88 garues, ndërsa të dyja lëshimet i përfunduan 45 sosh” thuhet në njoftimin e KOK-së.
Koha e garimit të Albin Tahirin ishte 2 minuta e 02.94 sekonda.
“Me sllallomin e sotëm, përfundojnë të gjitha garat për skitarët tanë, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu, në LOD Pekini 2022”, thuhet më tutje në njoftimin e KOK-së.
Në këto gara Albini garoi në katër disiplina. Në lëshim ishte i 35-ti, në kombinim alpin i 15-ti, në sllallom të madh i 30-ti. Kiana garoi në sllallom të madh dhe doli e 49-ta.