Foto: Kosovo Olympic Committee / Facebook

Ekipi Olimpik i Kosovës kthehet sonte nga Pekini

Ekipi Olimpik i Kosovës që përfaqësohet nga Kiana Kryeziu dhe Albin Tahiri pritet që sonte të rikthehet në Kosovë, pas mbarimit të garave në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Komiteti Olimpik i Kosovës(KOK).

“Ekipi olimpik i Kosovës që përfaqësoi vendin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022, kthehet sonte në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Arritja e ekipit në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” bëhet në ora 19:30 me linjën përmes Stambollit.

Në garat e zhvilluara në Pekin, garuesit nga Kosova treguan sukses të jashtëzakonshëm.

Kiana Kryeziu pas dy garave të zhvilluara në Pekin, përfundoi në pozitën e 49-të nga 82 garues sa morën pjesë.

Koha e lëshimit ishte 2 minuta e 49.19 sekonda.

Kiana ishte femra e parë që garon për Kosovën në Lojërat Olimpike. Për Kianën kjo ishte njëra ndër sukseset më të mëdha të saja në karrierë duke pasur parasysh që ajo është vetëm 17 vjeçare.

Ndërsa garuesi tjetër Albin Tahiri I zhvilloi tre gara, në njërin përfundoi në pozitën e 35-të, në garën tjetër përfundoi në pozitën e 15-të që ishte edhe suksesi më i madh i tij, ndërsa në garën e fundit përfundoi në pozitën e 30-të më të mirëve.