Foto: KALLXO.com

701 ditë pa humbje, a do të mbetet Kosova e pamposhtur edhe pas lojës me Anglinë?

Kombëtarja e Kosovës në futboll sot do ta ketë ndeshjen më të vështirë që nga pranimi në FIFA e UEFA, pasi do të përballet me njërën prej kombëtareve më të forta në botë, atë të Anglisë, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”.

Anglia aktualisht në ranglistën e FIFA-s pozicionohet në vendin e katërt.

Vetëm Belgjika, Brazili e Franca cilësohen më të fortë se “Tre Luanët”.

Kurse Kosova pozicionohet në vendin e 120-të, që do të thotë se është mbrapa për 116 vende.

Djelmoshat e udhëhequr nga Bernard Challandes prej orës 20:45 do të zbresin në fushë në stadiumin “St.Mar’s Stadium”, në Southampton, për t’u përballur me Anglinë.

Në këtë ndeshje “Dardanët” do të luajnë pa pesë lojtarë kryesorë, të cilët ishin titullarë të padiskutueshëm në formacionin e Challandes.

Arbër Zeneli, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli dhe Herolind Shala, do të jenë pesë mungesat kryesore të Kosovës për këtë ndeshje.

Aktualisht në Grupin A, Anglia është në vendin e parë me nëntë pikë, pasi ka shënuar tri fitore në tri ndeshje.

Ndërsa Kosova është në vendin e dytë me tetë pikë, me dy fitore dhe dy barazime nga katër ndeshje.

“Dardanët” humbjen e fundit e kishin pësuar me 9 tetor të vitit 2017, kundër Islandës, me rezultat 2-0, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës “Rusia 2018”.

Prej 9 tetorit të vitit 2017 deri më sot janë bërë 701 ditë që Kosova nuk është mposhtur.

Serinë e fitoreve e kishte nisur më 13 nëntor 2017 ndaj Letonisë.

Nga ajo ditë, Kosova i ka arritur 10 fitore dhe pesë barazime, duke mos pësuar asnjë humbje.

Djelmoshat e Challandes kanë arritur të mposhtin kombëtare si Azerbajxhani, Bullgaria e së fundmi Çekinë.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” më 21 mars të vitit 2019, Kosova ua dëshmoi të gjithëve se nuk janë rastësisht në superformë, duke barazuar me një kombëtare të madhe siç është Danimarka.

Prandaj, sot “Dardanët” edhe nëse mposhten nga Anglia do të mbahen gjithmonë në mend për këtë rekord të cilin ëndërrojnë ta kenë shumë kombëtare me nam botëror, por nuk ia arrijnë qëllimit.

Por, nëse arrijnë që të nxjerrin barazim ose fitore, atëherë, këta djelmosha do të vazhdojnë të shkruajnë historinë dhe të vazhdojnë ëndrrën për kampionatin Europian 2020.

Po ashtu, një fakt interesant është se Kosova për momentin është njëra prej kombëtareve me më së shumti ndeshje të luajtura pa humbje – 15, e ndjekur nga Portugalia dhe Danimarka me 10 të tilla.