Foto: REL/Reuters
Pse konservatorët po i kërkojnë dorëheqjen kryeministrit Johnson?
E ardhmja e Boris Johnson si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar është në rrezik më të madh se asnjëherë më parë.
Muaj të tërë me paqartësi të vazhdueshme politike e arritën kulmin të martën kur sekretari i shëndetësisë dhe zyrtari më i lartë i kabinetit dhanë dorëheqjen brenda 10 minutash nga njëri-tjetri lidhur me trajtimin e akuzave të keqpërdorimit seksual nga kryeministri kundër një deputeti konservator të Parlamentit.
Kjo shkaktoi një varg dorëheqjesh dhe letrash mosbesimi nga ministrat e rinj dhe deputetët që të mërkurën u shndërruan në një lloj përmbytjeje.
Atë mbrëmje, një grup ministrash të lartë shkuan në Downing Street në përpjekje për ta bindur kryeministrin të jepte dorëheqjen.
Por deri më tani Johnson mbetet sfidues dhe thotë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen duke pasur parasysh “mandatin e tij kolosal” nga votuesit në zgjedhjet e fundit. Aleati i kabinetit, Jacob Rees-Mogg, e hodhi poshtë fushatën kundër tij si një “stuhi”.
Deputeti konservator, Andrew Mitchell i tha BBC-së: “Është pak si vdekja e Rasputin. Ai është helmuar, goditur me thikë, është qëlluar, trupi i tij është hedhur në një lumë të ngrirë dhe ende, ai jeton.”
Pra, si arritëm këtu?
Një natë e dehur në Westminster
Të enjten e kaluar Noa Hoffman, një 24-vjeçare vetëm katër ditë në punën e saj si reportere politike për gazetën Sun, dha lajmin se një deputet konservator kishte dhënë dorëheqjen nga roli i tij në parti pas një mbrëmjeje të dehur në klubin e anëtarëve privat Carlton.
Në letrën e tij të dorëheqjes, Chris Pincher i tha kryeministrit se ai “piu shumë” dhe se “e ka turpëruar vetën e tij dhe njerëzit e tjerë”.
Por çështja doli të jetë më shumë se kaq: ai dyshohet se i është ofruar dy burrave në një klub privat anëtarësh, duke i prekur, të paktën njërin prej tyre, në organet gjenitale.
Më pas ndodhën dy gjëra. Qeveria informoi mediat se Pincher e kishte kuptuar se ai ishte sjellë keq dhe kështu do të mbante detyrën e tij si deputet dhe nuk do të përballej me veprime të mëtejshme.
Por në prapaskenë deputetët konservatorë u tërbuan.
Akuza të ngjashme për sjellje të pahijshme seksuale ishin bërë kundër Pincher në të kaluarën. Megjithatë, Johnson e kishte vënë atë në një pozicion pushteti si zëvendëskryetari i partisë – zbatues që e sigurojnë disiplinën e deputetit, por që janë gjithashtu përgjegjës për çështjet pastorale.
Si ndryshoi linja zyrtare?
Storia më pas u bë rreth asaj që Boris Johnson kishte njohuri për Pincher dhe kur e dinte për një gjë të tillë.
Për ditë të tëra, ministrat dhe zëdhënësi i Johnson këmbëngulën se kryeministri nuk ishte në dijeni të akuzave specifike kundër Pincherit kur e emëroi atë zëvendëskryetar.
Të hënën mbrëma ajo storie ra poshtë kur korrespondenti politik Ione Wells zbuloi se Johnson në fakt ishte vënë në dijeni të një ankese zyrtare për “sjellje të papërshtatshme” nga Pincher kur ai ishte ministër i Jashtëm nga viti 2019-20.
E martja dëshmoi një ndërhyrje publike dramatike nga ish-nëpunësi i lartë civil i Zyrës së Jashtme Sir Simon McDonald, i cili tha se Johnson ishte informuar personalisht për ankesën.
Downing Street më pas u tha gazetarëve se Johnson në fakt e dinte – por e kishte “harruar”.
Të martën Johnson pranoi se kishte qenë një “gabim” për emërimin e Pincher.
Megjithatë, dëmi tashmë ishte bërë.
Dorëheqje befasuese
Pakënaqësia shpërtheu kur kancelari Rishi Sunak – përgjegjës për ekonominë – dhe Sekretari i Shëndetësisë Sajid Javid dhanë dorëheqjen.
Në letrën e tij, Sunak tha se publiku “me të drejtë pret që qeveria të udhëhiqet siç duhet, me kompetencë dhe seriozitet”.
Në një deklaratë të mëvonshme në Parlament të mërkurën, Javid tha se problemi filon “nga lart” dhe “kjo nuk do të ndryshojë”.
Pasditen e së martës Johnson e ka telefonuar pjesën tjetër të kabinetit të tij për të zbuluar se kush po qëndronte dhe kush po shkonte – deri më tani pjesa tjetër e kabinetit ka mbetur besnik.
A do të japë dorëheqjen Johnson? Apo do të thërrasë zgjedhje të përgjithshme?
Të mërkurën, Johnson doli para deputetëve në Dhomën e Komunave, i vendosur për ta tejkaluar këtë stuhi.
I pyetur nga një deputet konservator nëse kishte ndonjë rrethanë në të cilën ai do të jepte dorëheqjen – ai u përgjigj se do të “mbetej atje”.
“Sinqerisht, puna e një kryeministri në rrethana të vështira kur të është dhënë një mandat kolosal është të vazhdosh dhe kjo është ajo që do të bëj”, tha ai, duke iu referuar fitores së tij dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme të 2019-ës.
Megjithatë, Chris Mason i BBC-së tha se mund të ndjeni, dëgjoni dhe nuhasni autoritetin që po largohej nga Boris Johnson dhe dalja e tij nga Parlamenti u përshëndet nga deputetët laburistë të opozitës në mënyrë tallëse “bye-bye”.
Disa ministra të kabinetit, duke përfshirë Sekretaren e Brendshme Priti Patel dhe kancelarin Nadhim Zahaëi, të emëruar të martën për t’i zëvendësuar Sunak, janë ndër figurat e larta të cilët tani kërkojnë nga kryeministri Johnson të japë dorëheqjen.
Kryeministri mund të përballet gjithashtu me një votëbesim të dytë javën e ardhshme pasi deputetët kryesorë i thanë atij se do t’i ndryshonin rregullat e partisë Konservatore për ta lejuar një votëbesim.
Disa e kanë vënë në pikëpyetje faktin nëse Johnson mund të kërkojë ta forcojë pozicionin e tij duke i shpallur zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.
Megjithatë, një sondazh i YouGov të martën tregoi se 69% e britanikëve tani mendojnë se Johnson duhet të japë dorëheqjen dhe më shumë se gjysma e votuesve konservatorë gjithashtu besojnë se ai duhet të largohet.
Pra, zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme do të ishin gjithashtu të mbushura me rrezik./BBC