Incidenti para parlamentit serb më 29 mars. Foto: Rade Maroevic

Zyrtarët Paralajmërojnë: Serbia po Shpërfill Problemet e Ushtarëve

Pasi një ushtar i Ushtrisë Serbe kërcënoi të vriste veten jashtë parlamentit, Unioni i Ushtrisë dhe Shoqata e Veteranëve paralajmëruan se shumë ushtarë shqetësohen nga borxhet, ose kanë çrregullim stresi post-traumatik.

Standardet e dobëta të jetesës për ushtarët, çrregullimet post-traumatike të stresit dhe mungesa e legjislacionit për të ndihmuar veteranët e luftës po shkaktojnë vuajtje që çojnë edhe në incidente si kërcënimi për vetëvrasje jashtë parlamentit të enjten, thanë për BIRN, Unioni i Ushtrisë Serbe dhe Shoqata e Veteranëve.

“Ne kemi njoftuar në shumë prej deklaratave tona për shtyp se kjo do të ndodhë gjithnjë e më shpesh,” tha Novica Antiq, kryetari i Unionit të Ushtrisë Serbe.

“Anëtarët e ushtrisë që luftuan në luftëra tani ndihen të braktisur, të zhgënjyer dhe të refuzuar,” paralajmëroi Antiq.

Ai tha se më shumë se 75 për qind e trupave të Ushtrisë Serbe kanë të ardhura më të ulëta sesa mesatarja dhe se shumë prej tyre jetojnë në “skllavëri borxhi” për shkak se ata paguajnë huatë.

Media serbe raportoi të enjten se një ushtar i Ushtrisë Serbe kërcënoi të hidhte veten në erë para ndërtesës së parlamentit në Beograd.

Raportet thanë se ai kishte një pistoletë dhe një granatë dore. Pas bisedimeve me policinë, ai u dorëzua.

Antiq tha se më shumë se 80 për qind e ushtarëve të Ushtrisë Serbe janë veteranë lufte.

“Në një periudhë trevjeçare, kemi pasur tre përpjekje për vetëvrasje dhe një vetëvrasje,” shtoi ai.

Trupi i një ushtari u gjet të hënën në mëngjes në apartamentin e tij në qytetin jugor serb të Nishit.

Megjithëse ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, mediat serbe njoftuan se ai vrau veten.

Në korrik të vitit 2016, një major kërcënoi se do t’i vinte flakën vetes para Ministrisë së Mbrojtjes. Pasi u ra dakord se rasti i tij do të diskutohej, ai u kthye në shtëpi.

Në mars të vitit 2016, një ushtar qëlloi veten në kokë në shtabin lokal të Ushtrisë në qytetin e Zajecarit.

Një muaj më parë, një nga anëtarët e Forcave Speciale Serbe vrau veten në detyrë në Beograd.

Në tetor 2016, një ushtar në pension kërcënoi se do të vriste veten para ndërtesës së qeverisë serbe me një bombë.

Ai u arrestua dhe policia tha se kërcënimi për vetëvrasjes ishte shkaktuar nga “probleme personale”.

Në maj 2017, një tjetër ushtar nga Loznica kreu vetëvrasje duke u hedhur në Danub. Mediat serbe raportuan se ai e bëri këtë për shkak të borxheve.

Kreu i shoqatës së veteranëve serbë të luftës, Zeljko Vukeliç, tha për BIRN se organizata ka katër psikologë që ndihmojnë veteranët.

“Ne kemi seanca në grupe, por edhe seanca individuale, pasi shumë prej tyre u vjen turp të pranojnë se kanë probleme,” shpjegoi Vukeliq.

Vukeliq shtoi se nga pesë veteranë që punojnë vullnetarisht çdo ditë në zyrën e Shoqatës, tre janë diagnostikuar me PTSD.

“Është shumë e zakonshme dhe shteti nuk po investon në zgjidhjen e kësaj çështjeje,” tha ai.

Ai sugjeroi se shumica e rasteve të dhunës në familje ku janë të përfshirë veteranë lufte shkaktohen gjithashtu nga PTSD.

“Shkëndija fillestare zakonisht është diçka e vogël, një ngjarje e përditshme që zgjon më të keqen te një person,” tha ai.

Vukeliq pranoi se Serbia ka nevojë urgjente për një Ligj mbi Veteranët dhe shtoi se Shoqata e tij do të prezantojë të shtunën legjislacionin e vet.

“Pas kësaj, do të fillojmë mbledhjen e 30,000 firmave për mbështetje që të mund ta kalojmë legjislacionin në axhendën e parlamentit serb,” tha ai.

Çështjet e ngritura nga peticionet që mbledhin 30,000 nënshkrime vendosen në agjendën e parlamentit.