Zjarret dhe Plumbat e Festës

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, një person është plagosur nga një plumb qorr në Sheshin “Nënë Tereza” të Prishtinës, 55 minuta pas ndërrimit të moteve.

Policia bën me dije se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa ka pësuar vetëm lëndime të lehta trupore.

Për dëmtime veturash nga predhat qorre të festës janë ankuar edhe një person nga Gjilani dhe një tjetër nga Prizreni. Në këto dy raste nuk ka pasur të lënduar.

Në Pejë pikërisht në mesnatë, policia ka konfiskuar 7 gëzhoja të kalibrit 7.62 milimetra, pasi një qytetar ka raportuar se në ndërtesën ku banon ka të shtëna me armë zjarri.

Edhe fishekzjarrët në natën e parë të vitit të ri dhe në ditën e fundit të të vjetrit kanë shkaktuar dëme.

10 minuta pas mesnatës është raportuar në polici një zjarr i shkaktuar nga përdorimi i mjeteve piroteknike në fshatin Marali të Malishevës. Ky zjarr që është lokalizuar nga zjarrfikësit ka kapluar ushqimin e kafshëve, ndërsa vlera e dëmit arrin 750 euro.

Sipas policisë zjarri i shkaktuar nga fishekzjarrët ka përfshirë mbrëmjen e së entes edhe një stallë në fshatin Drenovc të Malishevës, duke shkaktuar një dëm prej 3 mijë eurosh.

Një objekt ndihmës i një shtëpie është djegur po dje nga fishekzjarret në Brod të Shtërpcës. Ai ka përfshirë edhe disa mjete teknike, ndërsa dëmi nga ai vlerësohet 5 mijë e 500 euro.

Megjithatë, policia në një komunikatë për medie vlerëson se sivjet gjatë festimeve janë përdorur më pak mjetet piroteknike dhe armët e zjarrit.

“Si rezultat i punës së Policisë së Kosovës dhe si rezultat i bashkëpunimit e sensibilizimit të qytetarëve, gjatë manifestimit në këtë vit vlerësohet të ketë pasur më pak përdorim të fishekzjarrëve, mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit, të cilat kanë ndikuar në krijimin e një sigurie më të lartë të këtij fund-viti krahasuar me fund-vitet e kaluara,” thuhet në komunikatën e policisë.

Festën e ndërrimit të motmoteve sivjet policia e vlerëson më të qetë.

“Gjatë natës së festës së vitit të ri (2015/2016), situata në gjithë territorin e Republikës së Kosovës është vlerësuar e qetë dhe stabile, me përjashtim të disa incidenteve të raportuara në Policinë e Kosovës, por që kryesisht vlerësohet si një manifestim më i qetë sesa viteve të kaluara,” vijon komunikata.

KALLXO.com shkroi dje për planin e policisë që të ofrojë siguri për festën e Vitit të Ri.

http://kallxo.com/policia-me-plan-per-sigurine-gjate-festave/