Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, merr mandatin për formimin e Qeverisë nga presidenti, Gjorge Ivanov – Foto: MIA

Zaev Merr Mandatin për Formimin e Qeverisë

Pas disa muajsh refuzimi, presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, më në fund i dha mandatin për formimin e një qeverie udhëheqësit socialdemokrat, Zoran Zaev, duke hequr kështu të gjitha pengesat e mbetura për një transferim paqësor të pushtetit.

Ivanov, i cili u vu që nga marsi nën presion ndërkombëtar pasi refuzoi t’ia jepte mandatin Zaevit, tha në një ceremoni të shkurtër në zyrën e tij: “Pengesat për dhënien e mandatit për një qeveri të re maqedonase janë hequr”.

Zaev përsëriti garancitë që i kishte dhënë presidentit më parë se do të siguronte ruajtjen e karakterit unitar dhe integritetin territorial të Maqedonisë.

Në emër të shumicës së re në Parlament, “ne garantojmë mbrojtjen e unitetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të Maqedonisë”, tha Zaev.

Lufta e zgjatur e pushtetit politik kishte bërë që Maqedonia të mbetej pa qeveri që nga zgjedhjet e përgjithshme të 11 dhjetorit.

Presidenti Ivanov nuk ia dha mandatin për qeverinë e re Zaevit edhe pse ky ka mbledhur shumicën në Parlament me mbështetjen e partive kryesore shqiptare.

Ashtu si ish-partia qeverisëse VMRO DPMNE, Ivanov këmbënguli se Zaev po pranonte kërkesa që vinin në rrezik sovranitetin e vendit, vetëm se donte të merrte pushtetin.

Kërkesat lidheshin me platformën shqiptare, ku kërkohej përdorim më i gjerë zyrtar i gjuhës shqipe dhe më shumë të drejta ekonomike për komunitetin shqiptar që përbën një të katërtën e popullsisë së vendit.

Zaev këmbënguli se ky ishte vetëm një justifikim – dhe se VMRO DPMNE, që ka udhëhequr vendin që nga viti 2006, po gjente justifikime për të shmangur hetimet kriminale.

Shumica e re parlamentare ka mbështetjen e 67 nga 120 deputetë. Zaev ka lajmëruar se do të përpiqet të formojë qeverinë e re nga fundi i muajit.