Marshi në Lëvizjen Vetëvendosje, Foto: KALLXO.com

VV pajtohet me shoqërinë civile: Ligji për financimin e subjekteve politike nuk kalon

Lëvizja Vetëvendosje është pajtuar me shoqërinë civile, të cilët marshuan sot në kundërshtim projektligjit për financimin e subjekteve politike.

VV thotë se këtë projektligj e kanë refuzuar kohë më parë.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! kohë më parë pati deklaruar qëndrimin në lidhje me këtë projektligj duke theksuar se është pro rritjes së transparencës dhe llogaridhënies nga subjektet politike, por është absolutisht kundër neneve që janë antikushtetuese dhe shkelin vullnetin e votuesit siç është rasti me nenin 6 që ka të bëjë me financimin e subjekteve politike”, thuhet përmes një komunikate.

Tutje në komunikatë thuhet se i përkrahë kërkesat e drejta të shoqërisë civile dhe kërkojmë që në çdo ndryshim përbrenda projektligjeve për subjektet politike të kërkohet më shumë transparencë, “rritje të demokracisë dhe llogaridhënie karshi qytetarëve dhe institucioneve përgjegjëse”.

Partia opozitare po ashtu ka dënuar edhe sulmin fizik që i’u është bërë sot nga zyrtarë të PDK-së, ndaj disa aktivistëve gjatë marshit.

“Gjithashtu, ne dënojmë rëndë sulmin fizik dhe kërcënimin që ju bë aktivistëve të shoqërisë civile nga zyrtarë të PDK-së në selinë qendrore të kësaj partie politike. Ne kërkojmë që ky gjest antidemokratik dhe kriminal të dënohet edhe nga organet e drejtësisë”, thuhet në komunikatë.