Kuvendi i Kosovës (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

VV Kërkon Shkarkimin e Personave që ‘Inskenuan Rastin e Sulmit Kundër Kuvendit'

Në Kuvendin e Kosovës kanë përfunduar diskutimet rreth dënimit të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në emër të VV-së, deputeti Sami Kurteshi ka kërkuar që rreth rastit të sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës të kërkohet dhe mundësohet hetim i plotë dhe i pavarur në njërin nga vendet e BE-së ose vendet neutrale si Zvicra, ndaras rastit Dehari.

Kërkesë tjetër e Vetëvendosjes është shkarkimi i të gjithë personave në Polici dhe organet e tjera “që kanë inskenuar këtë rast”, si dhe shkarkimi i të gjithëve që kanë qenë përgjegjës kur ka ndodhur rasti Dehari.

Këto rekomandime/kërkesa nuk u nxorën për votim për shkak se nuk kishte kuorum, prandaj u vendos që për të të votohet në seancën tjetër.

KALLXO.com raportoi se në diskutimet në Kuvend për dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes nuk morën pjesë të gjithë deputetët e kësaj partie.

http://kallxo.com/lvv-ja-jokomplete-ne-diskutimin-per-aktivistet/

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka ndërprerë seancën e sotme në mungesë të kuorumit.

Nënkryetari Haliti tha se seanca do të vazhdojë nesër në ora 11:00.

Po ashtu, KALLXO.com transmetoi LIVE seancën e sotme të Kuvendit.