Visar Ymeri, ish-kryetar i Vetëvendosjes

VV: Dështoi Legjitimimi i Aktit të Tradhtisë

Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbajtur një konferencë për media pas tërheqjes nga kryeministri Isa Mustafa të projektligjit për Demarkacionin nga rendi i ditës të Kuvendit të Kosovës.

Sipas kryetarit të VV-së, Visar Ymeri, Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dështuan ta legjitimojnë aktin e tyre të tradhtisë.

“Treshja ‘Pronto’, Mustafa, Veseli dhe Thaçi dështuan që ta legjitimojnë aktin e tyre të tradhtisë, që ta legjitimojnë aktin e tyre të agresionit karshi territorit të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo është humbje e jashtëzakonshme e atyre të cilëve ishin angazhuar për ta cunguar territorin e Kosovës”, u shpreh ai.

“Demarkacioni nuk u fut fare sot në votim por ishte e qartë që ai dështoi të votohet”, tha i pari i Vetëvendosjes.

Sipas Ymerit, Lista Serbe e përdorë çfarëdo rrethane e situate në Kosovë për të kërkuar më shumë hapësirë për Serbinë në Kosovë.

“Po dëshmohet që dialogu me Serbinë nuk ka bërë asgjë tjetër përveç që e ka futur dhe faktorizuar Serbinë politikisht dhe në aspektin territorial dhe sot kjo u dëshmua përmes sjelljes se Listës Serbe”, tha ai.

Ai ka kërkuar që kjo Qeveri të largohet menjëherë nga pushteti.

Visar Ymeri tha po ashtu se zgjidhja për demarkacionin është shumë e lehtë. Sipas tij, kjo marrëveshje duhet të rishikohet e përmirësohet e pastaj do të jetë e pranueshme për të gjitha forcat politike në Kosovë.

“Qytetarët e Kosovës të organizuar nëpër protesta, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetët e opozitës nuk do ta lejojnë  as në të ardhmen që një marrëveshje e tillë të jetësohet në Kosovë”, tha Ymeri.

Ndërsa sekretari i VV-së, Dardan Molliqaj foli për arrestimet e aktivistëve dy ditë më herët. Sipas tij këta aktivistë janë arrestuar dhe nga klani “Pronto” .

“Adea Batusha, Frashër Krasniqi dhe Petrit Ademi janë lëshuar në masën e arrestit shtëpiak. Të njëjtit njerëz që akuzohen për terrorizëm lirohen në arrest shtëpiak. Si është e mundur kjo?”, pyeti Molliqaj.

Sipas tij ky është një vendim politik ndërsa kërkoi dorëheqjen e një sërë akterëve në këtë rast.

“Luan Keka, zëvendësdrejtor i Njësisë së Antiterrorizmit duhet të jap dorëheqje. Ai u dëshmua se ka lidhje të ngushta me klanin ‘Pronto’. Abdurahman Islami si prokuror i Prokurorisë Speciale duhet të largohet. Fatos Makolli drejtor i Drejtorisë kundër Terrorizmit, duhet të jap dorëheqje. Shpend Maxhuni i cili u dëshmua për fabrikim të komunikatave për shtyp dhe duhet menjëherë të japë dorëheqje. Po ashtu, edhe drejtori i RTK-së Mentor Shala dhe kryeredaktori i RTK 3 Ridvan Berisha që e terrorizuan opinionin me akuza të pabaza”, tha Molliqaj, i cili po ashtu kërkoi edhe lirimin e të gjithë aktivistëve dhe deputeteve të arrestuar sot.