Aleksandar Vuçiq. Foto: Beta/Sasa Djordjevic.

Vuçiq Pesimist Rreth Arritjes së një Marrëveshjeje me Shqiptarët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se “është e pamundur” që Kosova të fitojë ulëse në Kombet e Bashkuara nëse “nuk arrijmë një lloj tjetër të marrëveshjes historike, me të cilën serbët do të ishin të kënaqur”.

Pa këtë marrëveshje, sipas tij është “absolutisht e papranueshme” që Kosova të ketë ulëse në OKB.

Më tutje, në intervistën me rastin e Vitit të Ri për gazetën beogradase, Veçernje Novosti, presidenti Vuçiq ka theksuar se “nuk është optimist” se mund të arrihet marrëveshje me shqiptarët, duke vlerësuar se “gjasët për arritjen e marrëveshjes së pranuar nga të dy palët, mendoj se janë më pak se 5%” dhe se “pa fuqitë e mëdha kjo çështje është e pamundshme të zgjidhet”.

“Pavarësisht nga të gjitha, do të ishte çështje historike të arrijmë marrëveshje dhe pa konflikt”, tha Aleksandar Vuçiq. (REL)