Ilustrim: Atdhe Mulla

Votimi për Rritjen e Pagave Bllokon Kuvendin

Kuvendi i Republikës së Kosovës shkoi në pauzë për shkak se pozita dhe opozita nuk ishin njëzëri për të votuar rekomandimet e dhëna nga LDK-ja dhe Vetëvendosje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të anëtarëve të kabinetit qeveritar, rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve dhe lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale.

Katër rekomandimet e opozitës nuk u votuan edhe pse ato dolën për votim dy herë radhazi. Herën e parë ato morën 43 vota pro dhe 1 abstenim gjë që nxiti reagime të ndryshme për shkak të mungesës së kourumit të pozitës.

Fillimisht u tha se nuk po bëjnë kartelat votuese ndërsa më vonë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se kartelat janë në funksion por deputetët e pozitës nuk duan të votojnë.

Derisa u përsërit votim edhe njëherë, këto rekomandime sërish morën 45 vota dhe 1 abstenim gjë që sërish pozita nuk votoi.

I pari që foli ishte deputeti nga AAK-ja, Shkumbin Demaliaj i cili tha se këto rekomandime nuk duhet të votohen për shkak se kjo çështje është në Gjykatën Kushtetuese.

“Meqenëse për të njëjtën kërkesë propozuesit e ka dërguar në Gjykatën kushtetuese ne nuk duhet të bëjmë standarde të dyfishta. Të presim njëherë çka po vendoset dhe të mos ndërhyjmë në punët gjyqësorit”, tha Demaliaj.

Në shenjë pakënaqësie, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti kërkoi shpërbërje të Kuvendit.

“Ne duhet të procedojmë sot me shpërbërje të kuvendit sepse s’ka kuptim. Nuk duhet të kalohet në pikën tjetër pa e kaluar kjo pikë. Ne nuk do të marrim pjesë në asnjë debat tjetra pa kaluar kjo pikë”, tha Hoti.

Ndërsa deputeti Glauk Konjufca nga VV, tha se opozita do ta kthejë “me të njëjtën monedhë” kur bëhet fjalë për miratim të projektligjeve sepse këtë gjë, sipas tij, po e bën edhe pozita.

“Nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër përpos t’ua kthejmë me të njëjtë monedhën e njëjtë, me metodën e njëjtë. Ama vec mos e harroni një gjë, nëse hynë Kuvendi në këtë cikël që ne t’ua kthejmë në të njëjtën mënyrë, mos harroni se ju asnjë ligj nuk mund ta kaloni”, tha Konjufca.

Ndërsa tre deputetët e pozitës, Milaim Zeka, Teuta Haxhiu dhe Hajdar Beqa, kërkuan që të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos ndërhyhet në këtë çështje derisa të ketë një vendim.

“Nuk duhet të interferojmë në gjykatë dhe duhet ta presim vendimin e gjykatës dhe ajo që vjen nga gjykata u tha nga qeveria që do të respektohet 100 për qind”, tha deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.