Vojisllav Shesheli Zotohet për “Rezistencë Pasive” ndaj Ekstradimit

Vendimi për gjykimin e Sheshelit për krime lufte pritet të merret më 31 mars.

Shesheli tha në një konferencë për shtyp në Beograd të enjten se “do të bëjë rezistencë pasive” nëse autoritetet serbe përpiqen ta dërgojnë atë përsëri në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, për marrjen e vendimit për gjykimin e tij këtë muaj.

“Ata do të duhet të më çojnë vetë në aeroport. Nuk do të përleshem me asnjë polic dhe nëse policia do më keqtrajtojë, do të gjej një mënyrë për t’ju informuar,” tha Shesheli, sipas faqes së internetit të lajmeve B92.

Lideri i Partisë Radikale Serbe pohoi se procedurat e ekstradimit ishin tashmë në proces dhe tha se Gjykata e Lartë në Beograd i kishte kërkuar atij të raportonte atje më 10 mars për të paraqitur prova për të vërtetuar pretendimin e tij se kjo do të ishte e paligjshme – edhe pse kjo nuk është konfirmuar nga vetë gjykata.

Kur u kontaktua nga BIRN, Gjykata e Lartë nuk pranoi të thoshte nëse procedurat e ekstradimit ishin në proces e sipër, apo pse procesi nuk është publik.

Shesheli po gjykohet për krime lufte në Kroaci, Bosnjë dhe Serbi.

Ai u lejua të rikthehej në Beograd në nëntor të vitit 2014, pasi u lirua përkohësisht nga Gjykata e Hagës për arsye humanitare për t’iu nënshtruar trajtimit nga kanceri.

Pas disa vonesash kontroversiale, vendimi në çështjen kundër tij është caktuar të merret më 31 mars dhe Gjykata e OKB-së i ka kërkuar atij të kthehet në paraburgim në Hagë.

Shesheli ka refuzuar të kthehet vullnetarisht, por autoritetet serbe nuk e kanë arrestuar atë, duke cituar si arsye gjendjen e tij të dobët shëndetësore.