Punetoret e larguar nga KEDS - 11.12.2018 - FOTO KALLXO

Visar Ymeri mbështet protestën e ish-punëtorëve të KEDS-it

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka reaguar pas tentimit të ish-punëtorëve të KEDS-it për t’u kthyer në vendin e tyre të punës pas 2 viteve, pasi në favor të tyre kishte vendosur gjykata.

Ymeri ka kritikuar KEDS-in që nuk po i zbaton vendimet e gjykatave për t’i kthyer në punë mbi 80 punëtorë.

“KEDS është ilustrimi tipik për marrëdhënien që procesi i këtillë i privatizimit ka imponuar midis shtetit dhe kapitalit privat. Nuk është më shteti arbitri mbi palët dhe përtej palëve. Ai është shndërruar në mekanizëm zhvatës, në llogari të privatit. Shteti është efikas kur vendos që humbjet e KEDS t’u faturohen qytetarëve (siç bëri ZRRE), por ai nuk funksionon kur duhet mbrojtur punëtorët. Janë mbi 80 punëtorë me vendim gjykate për t’u kthyer në punë, por ja që KEDS ka zgjedhur të mos i zbatojë vendimet e gjykatave” ka shkruar ai.

Ai ka përmendur edhe momentin kur policët nuk lejuan që ish-punëtoret të hynë në objektin e KEDS-it.

“Askush nuk bëzan për mosrespektim ligji. Ironia shkon deri në asht kur e sheh policinë duke i ndaluar punëtorët të kthehen në punë. Arbitraritet i zhveshur. Shfrytëzimi edhe më i qartë”, thuhet në reagimin e Ymerit.

KALLXO.com ka raportuar LIVE protestën e punëtoreve të KEDS-it, të cilët kanë tentuar të hynë në ketë objekt.