Foto-ilustrim

Viktima Kosovare e Prostitucionit i Fal Trafikantët

Nga droja se do i prishet martesa dhe lidhja me burrin e saj, kosovarja A.A nuk ka pranuar t`i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj grupit i cili për disa muaj e  shfrytëzoi si skllave të seksit në rrethin Klinës.

E ulur në bankën e të dëmtuarve viktima nuk ka diskutuar shumë për ngjarjet të cilat i ndodhën gjatë kohës kur ajo ishte e mitur, me arsyetimin se bashkëshorti i saj nuk është në dijeni të ngjarjeve.

Prokuroria e Pejës pretendon se ka siguruar prova të mjaftueshme të cilat dëshmojnë mënyrën se si pesë persona në mesin e të cilëve edhe një fermer e kanë obliguar  të miturën A.A të kryejë  marrëdhënie seksuale me pagesë.

Sipas aktakuzës, pesë persona gjatë vitit 2012 e kanë obliguar viktimë që të kryejë marrëdhënie seksuale në disa motele e shtëpi të rrethit të Pejës.

D. H.(femër), K. T., N. B., A. M..dhe Q.A përfituan shuma të parave nga 50 deri 150 nga shitja e miturës si prostitutë.

E tëra sipas aktakuzës kishte nisur në  gushtin e  vitit 2012 kur  Q. A. pronar i një furre të bukës e kishte marrë viktimën dhe e kishte dorëzuar tek klienti N.B. i cili pasi kishte kryer marrëdhënie seksuale me viktimën kishte paguar 50 euro tek Q.A.

Rrugëtimi i viktimës nuk kishte përfunduar me kaq.

Pas marrëdhënies seksuale me N.B ajo ishte dorëzuar në një lokal tjetër në fshatin Zajm të Klinës. Ky lokal sipas prokurorisë drejtohej nga D.H (femër) e cila gjatë kohës sa e kishte mbajtur në lokal viktimën i kishte gjetur myshterinj të cilët për marrëdhënie seksuale kishin paguar nga 100 deri 150 euro.

Hetimet e prokurorisë kanë arritur në përfundimin se nga lokali në fshatin Zajm viktima ishte marrë nga i pandehuri K.T., i cili viktimën e kishte dërguar tek shtëpia e të pandehurit tjetër A.M). ku edhe e kishin trafikuar seksualisht  për shuma nga 50 deri 100 euro.

Për shkak se ka kaluar një kohë e gjatë që nga ngjarja  e mitura tashmë është rritur dhe është bërë nënë e dy fëmijëve.

Gjatë seancës gjyqësore ajo nuk ka pranuar të vazhdojë ndjekjen  penale me arsyetimin se kjo pjesë e jetës së saj është e harruar dhe bashkëshorti i saj nuk është në dijeni për të kaluarën e hidhur të saj.

”Unë jam e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, burri im as që është në dijeni për ketë ngjarje, nuk dua t’i ndjek penalisht të akuzuarit dhe për mua lironi tani edhe pse kanë gabuar,” shtoi viktima A.A.

Për rrjetin e trafikimit të së miturës në gjykatë të Pejës tashmë ka nisur një proces gjyqësor.