Dyshohet për marrje të ryshfetit, arrestohet zyrtari i Gjykatës së Pejës

Referenti i lartë për regjistrimin e lëndëve jokontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave me vulën e vërtetësisë në Gjykatën e Pejës, Z.H. është arrestuar gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovës.

Ai dyshohet se është inkriminuar në veprën penale -marrje e ryshfetit, në rastin kur nga qytetari, i dyshuari D.Sh., të cilit i shërben pranon një sasi të hollave.

Arrestimi i zyrtarit të dyshuar, 63-vjeçar, ka ndodhur nga hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë.

Policia ka njoftuar se për të dyshuarin ka pasur hetime disamujore, duke zbatuar edhe masat e fshehta të hetimeve.

Z.H. është shoqëruar sot në Polici nga vendi i punës për t’u intervistuar në prezencën e avokatit të tij mbrojtës.

Pas intervistimit Policia njofton se është informuar prokurori i rastit, i cili ka lëshuar vendimin mbi ndalimin policor prej 48 orësh dhe se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Sa i përket D.Sh., i cili dyshohet për veprën penale – dhënie e ryshfetit, ai nuk është intervistuar pasi që dyshohet se gjendet duke punuar dhe jetuar në Gjermani.