Foto-ilustrim

‘Burgu Shtëpiak’ i Viktimës së Dhunës

Një viktimë e dhunës- nënë e një fëmijë është ndier sikur ndodhet në burg shtëpiak, pasi vendimi për urdhër mbrojtjeje ndaj saj është vonuar 20 ditë.

“Unë gjatë këtyre javëve kam qenë shumë në stres dhe e frikësuar, nuk kam pasë guximin të dalë askund pa ndonjë pjesëtar të familjes sime”, tha gruaja së cilës iu vonua aktvendimi për urdhrin mbrojtës.

Seanca ku është kërkuar urdhër mbrojtjeje nga personi me të cilin viktima bashkëjetonte ishte mbajtur më 4 tetor, ndërsa vendimin që i siguron mbrojtje të tillë viktima e dhunës e kishte marrë më 23 tetor.

“Deri më 23 dhjetor nuk e kam pranuar aktvendimin për urdhërmbrojtjeje. Kur e pyeta postierin se perse më është vonuar, më tha ‘ta kanë shkru adresën gabim’”, tha viktima e dhunës për KALLXO.com.

Ajo tregoi se ndien frikë edhe pasi e ka marrë vendimin me të cilin është nën mbrojtje nga shkaktuesi i dhunës.

“Por prapëseprapë edhe pse kam marrë udhrin mbrojtës ndjehem shumë e rrezikuar dhe në stres, kam frikë dhe e ndjej veten sikur në burg shtëpiak nga ai, sepse e njoh shumë mirë dhe e di se çfarë është në gjendje të bëjë”, tha viktima e dhunës në familje.

Vonesa e aktgjykimit për mbrojtje ia ka pamundësuar asaj t’i marrë gjërat personale nga shtëpia e ish-personit me të cilin bashkëjetonte, pasi as stacioni policor nuk e kishte marrë urdhrin për mbrojtjen e viktimës së dhunës.

më 17 tetor, viktima ka kërkuar nga policia që të shoqërohet për në shtëpinë e palës përgjegjëse, në mënyrë që të marrë gjësendet e saja personale.

Si pasojë e mospranimit të urdhërit të mbrojtjes, policia nuk ka mundur kryejë këtë shoqërim.

Kjo viktimë dhune frikësohet se do t’i ndodhë edhe ndonjë e keqe e porositur nga personi me të cilin bashkëjetoi.

“Kam drojë se mos po e porositë naj kon për të më bërë diçka fizikisht. Shumë kam frikë dhe ndjehem shumë e rrezikuar”, tha ajo.

Vendimin e gjykatës e kishte pranuar vetëm avokati i palës përgjegjëse, Fanol Krasniqi, Qendra për Punë Sociale, si dhe Zyra për Mbrojtën e Viktimave më 12 tetor, 8 ditë pas mbajtjes së seancës.

Duke komentuar vonesën e pranimit të vendimit në fjalë, avokati i palës përgjegjëse, Fanol Krasniqi, tha për KALLXO.com se rastet e këtij lloji duhet të merren më me prioritet.

“Kur është puna te dhuna në familje që është e natyrës shumë urgjente, njëjtë sikur paraburgimi, unë mendoj duhet të merret më me prioritet”, tha avokati Krasniqi.

Sipas zëdhënëses së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, fillimisht viktima nuk ka pranuar vendimin pasi që adresa e saj ka qenë gabim, ndërsa gjykata nuk kishte marrë përgjigje për pranimin e vendimit nga ana e policisë.

Viktima ka bërë të ditur për KALLXO.com se stacioni policor ende nuk e ka pranuar aktvendimin mbi urdhrin e mbrojtjes.

KALLXO.com ka shkruar edhe për raste tjera të ankesave nga viktimat e hunës në familje.

http://kallxo.com/viktima-e-dhunes-qe-kerkon-drejtesi/

http://kallxo.com/viktimes-se-dhunes-nuk-paguhet-ushqimi-femijes-nga-ish-bashkeshorti/