Vetëvendosje Proteston me Ngjyrë e Pankarta Kundër MPB-së

Aktivistë të Vetëvendosjes gjuajtën me ngjyrë Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), kurse pankartat që patën me vete pas këtij aksioni i lanë te selia e këtij institucioni.

Ky veprim i bëri përshtypje edhe një ushtari të KFOR-it, i cili doli nga makina për të bërë fotografi.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, tha para aksionit se vendi e fjala e lirë janë më të rrezikuara se kurrë dhe se kanë një mesazh për pushtetin: “Metodat fashiste nuk do të kalojnë”.

“Vendi si pasojë e pushtetit policor po rrëshqet përditë e më shumë drejt një diktature. Gjatë muajve të fundit, e sidomos ditëve të fundit, aktivistët e VV-së po i nënshtrohen një dhune dhe represioni të paparë, me arrestimet arbitrare, bastisje të shtëpive të tyre, fushata linçuese nga mediat e pushtetit e deri te deportimet e aktivistëve të devotshëm nga Shqipëria”, tha ai.

Në fund, Çaushi tha se nuk e di ku ndodhet aktivisti Boiken Abazi, i cili dje u arrestua nga Policia e Kosovës dhe u deportua në Shqipëri, meqë është shtetas shqiptar. [envira-gallery id=”2245454″]