Albin Kurti synon që me tre kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosjes për deputetë të sjellë ndryshime në Shqipëri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurit ka vazhduar fushatën e partisë së tij në Shqipëri.

Në një konferencë për media nga Tirana, Kurti i ka ftuar qytetarët e Shqipërisë që të votojnë 3 kandidatët e LVV-së për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Iliaz Shehi, në qarkun e Lezhës, Kreshnik Merxhani në qarkun e Gjirokastrës dhe Boiken Abazi në qarkun e Tiranës janë kandidatët e LVV-së për deputetë.

Boiken Abazi kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), në Kuvendin e Shqipërisë, tha se tani është koha që edhe në Shqipëri të bëhet ndryshimi ashtu si në Kosovë.

“Populli në Kosovë na dha të gjithëve një shembull për t`u ndjekur, përkundër manipulimeve dhe trysnisë votoi edhe më fuqishëm atë që është e ndryshme dhe që sjellë ndryshime. Si qytetarë aktiv nga Shqipëria jemi angazhuar vazhdimisht për të sjellë ndryshime në Kosovë, dhe tani është momenti që edhe Kosova edhe z. Kurti t’na mbështesin në nisjen e ndryshimit në Republikën e Shqipërisë”, tha ai.

Abazi tha që si Lëvizje Vetëvendosje në Shqipëri do të angazhohen për drejtësie dhe kundër varfërisë.

“Sa i përket aktualitetit shqetësimi ynë është lidhur me pandeminë. Qytetarët e popullit shqiptarë janë të lodhur me padrejtësi, deputetët dhe ministrat e korruptuar tashmë janë të papranueshëm për Shqipërinë në këtë shekull”, tha ai.

Albin Kurti, kryetar i LVV-së tha se shqiptarët ashtu si në Kosovë edhe në Shqipëria kanë nevojë për ndryshime me politikan të cilat sipas tij nuk kanë synim pasurimin privat por punojnë për qytetarin.

“Shqiptarët kanë nevojë për ndryshime edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, kemi nevojë për Kuvende të tjera të republikës të cilat janë përplot përfaqësues të popullit që janë të përgjegjshëm e të përkushtuar që e kuptojnë politikën në regjistrin e shërbimit publik e jo të pasurimit privat”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, ‘duhet që shteti të jetë për shumicën, dhe një shtet i cili e kupton që është më i madh se qeveria, e që e kupton se Shqipëria është më e madhe se Republika e saj’.

Kurti tha që ashtu siç është rritur në Kosovë edhe në Shqipëri dita ditës do të ketë rritje të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

“Kjo po ngjanë edhe këtu në Shqipëri ku po shumëfishohet organizata për nga numri i anëtarëve dhe mbështetësve, jemi të bindur që kjo do të reflektohet edhe në zgjedhjet e radhës, atëherë kur do të zgjedhën përfaqësuesit e popullit”, tha Kurti.

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 25 prill. Për herë të parë në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 3 kandidatë për deputetë.

Iliaz Shehi në qarkun e Lezhës, Kreshnik Merxhani në qarkun e Gjirokastrës dhe Boiken Abazi në qarkun e Tiranës janë kandidatët e LVV-së për deputetë.