Foto: Facebook/Albin Kurti

Kandidatët e LVV-së në zgjedhjet në Shqipëri pretendojnë se po u vidhen votat, publikojnë një video

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët garuan si kandidatë të pavarur në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Shqipëri, po pretendojnë se janë dëmtuar gjatë numërimit të votave.

Njëri prej tyre, Kreshnik Merxhani, ka thënë se mbi 1,000 vota të pavlefshme në qarkun e Gjirokastrës nuk janë të rastësishme.

Merxhani ka publikuar në profilin e tij në Facebook një video në të cilën, sipas tij, numëruesit e votave në Tepelenë pa u penguar nga askush dhe haptazi falsifikojnë fletëvotimet.

“Aty ku qytetari ka vendosur një “X” poshtë nr. 13 në fletën e votimit pranë emrit tim, te i njëjti fletëvotim kanë vendosur edhe një “X” tjetër te një prej subjekteve apo kandidatëve të çfarëdo force tjetër, duke e shpallur të pavlefshme fletën e votimit ose duke e deklaruar ndryshe”, ka shkruar Merxhani, duke theksuar se fenomeni është i njëjtë edhe në Tiranë e Gjirokastër, siç kanë treguar edhe kolegët e tij, Bojken Abazi e Iliaz Shehu.

Kreshnik Merxhani ka paralajmëruar se këtë çështje do ta ndjekë penalisht.

Edhe Boiken Abazi po pretendon se i janë vjedhur votat dhe për këtë po e akuzon Partinë Socialiste.

Sipas rezultateve ende preliminare, kur janë numëruar afër 70 për qind e votave, Kreshnik Merxhani ka fituar 123 vota, Boiken  Abazi 1,523 vota dhe Iljaz Shehu 348 vota.