Arrestohet drejtuesi i Vetëvendosjes në Shqipëri

Aktivisti dhe drejtuesi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, Boiken Abazi, është arrestuar nga policia, teksa po shkonte të marrë pjesë në tubimin protestues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Kështu ka bërë të ditur qendra e LVV-së në Shqipëri. Sipas tyre, ky arrestim është tipikisht i porositur.

“Tubimi paqësor protestues i organizuar nga Shoqata “Çamëria” dhe PDIU me rastin e vizitës së ministrit të jashtëm grek në Tiranë synon shtrimin e kërkesave në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare të Çamërisë, heqjen e ligjit të luftës dhe delimitimin e drejtë të kufive detarë”, thuhet në postimin e tyre në rrjetin social “Facebook”.

Për këtë arrestim kanë fajësuar qeverinë Rama, “duke dashur të ofrojë një dhuratë të dhunshme ndaj vizitorit grek”

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është për miqësinë e bashkëpunimin mes popujve, për të drejta evropiane për minoritetet, por mbi të gjitha për shtete të drejta e jo diskriminuese. Për sa kohë shteti grek vazhdon politika diskriminuese e armiqësore ndaj shqiptarëve, ne do të vazhdojmë ta themi të vërtetën, edhe duke protestuar, e Rama nuk mund të na ndalë me arrestime të shënjestruara”, thuhet në reagim.

LVV ka bërë thirrje të lirohet Boiken Abazi një orë e më parë, “e të dënohen urdhërdhënësit për përndjekjen politike e shënjestrimin që po na bëjnë”.