Pika kufitare e Bijacës. Foto: Wikimedia/Ma Ga.
Veteranët boshnjakë të luftës bllokojnë pikën kufitare me Kroacinë
Rreth 100 ish-ushtarë, anëtarë të shoqatës “Mbrojtësit e Harruar”, bllokuan të hënën kalimin e Bijacës në Bosnjën lindore në protestën e fundit nga veteranët e luftës nga Ushtria Boshnjake dhe Këshilli Kroat i Mbrojtjes, tha kryetari i shoqatës.
Kryetari i “Mbrojtësit e Harruar” Drago Grbavaç kërkoi ndjesë për të gjithë ata që ngelën në vendkalimin kufitar nga protestat.
“Ne nuk e duam vërtet këtë. I kemi provuar të gjitha. Kemi qenë në të gjitha institucionet dhe nuk kemi gjetur asnjë mirëkuptim,” tha Grbavaç për mediat boshnjake.
Në shkurt, veteranët protestues bllokuan rrugët në qytetet boshnjake të Tuzlës, Zenicës dhe Dobojit dhe rrugën kryesore nga Sarajeva në Konjic.
Ata gjithashtu protestuan jashtë parlamentit të entitetit të Federatës Boshnjake në prill, duke u bërë thirrje deputetëve të diskutojnë kërkesat e tyre.
Ata kërkojnë 326 marka boshnjake (rreth 167 euro) në muaj pension për veteranët e papunë dhe që çdo ish-ushtar të marrë dy ose tre marka boshnjake (një deri në 1.5 euro) për çdo muaj që ka shërbyer gjatë kohës së luftës.
Ata gjithashtu dëshirojnë krijimin e një regjistri të unifikuar të veteranëve në Federatë, të cilët ishin anëtarë të Ushtrisë Boshnjake dhe të Këshillit Kroat të Mbrojtjes, për të fshirë njerëz që e kanë deklaruar veten si veteranë duke gënjyer për këtë gjë.
Kërkesa e tretë e protestuesve është t’i jepet fund financimit të asaj që ata e shohin si shoqata të panevojshme veteranësh nga federata dhe qeveritë kantonale.
“Njëzet milionë marka boshnjake (10 milionë euro) në vit, sipas pranimit të tyre, shpenzohen për këto shoqata. Kjo nuk ka kuptim,” tha Grbavaç.