Foto: UWC Kosova

United World College ofron bursa studimi edhe për gjimnazistët e Kosovës

Nxënësit e shkollave të mesme të larta në Kosovë mund të aplikojnë në konkursin e shpallur të bursave nga United World College për vazhdimin e studimeve në disa vende të botës.

Kjo shkollë mundëson mësimin e rreth 200 nxënësve të 90 nacionaliteteve të ndryshme në Itali, Holandë, Hong Kong, Swaziland e Bosnje Hercegovinë.

Konkursi është i hapur për 5 shkollat si në vazhdim: ‘UWC Adriatic’ në Itali, ‘UWC Mostar’ në Bosnjë e Hercegovinë, ‘UWC East Africa’ në Tanzani, ‘UWC Robert Bosch’ në Gjermani, ‘UWC Red Cross Nordic’ në Norvegji.

Sipas thirrjes së UWC, në këto shkolla mësimi nuk ndodhë vetëm në klasë duke qenë se nxënësit vijnë nga vende të ndryshme ata në mes vete mund të mësojnë më shumë për botën dhe kulturat tjera.

UWC funKsionon me kurrikulë të International Baccalaureate (IB), si planprogram i kompletuar dhe pranuar në botë, i cili zgjatë dy vjet.

Përveç kësaj kurrikule, si njëra nga 4 shtyllat kryesore të UWC, të tjerat janë edhe sporti, arti dhe puna vullnetare. 

“Njerëzit mësojnë nga aktivitete të ndryshme e jo vetëm në laboratore dhe klasa mësimore. Prandaj kurrikula IB ju mundëson që t’a zgjeroni diapazonin tuaj të diturisë nëpërmjet sporteve të ndryshme (kajaking, shigjetari, not, basketboll, etj.), shërbime komuniteti dhe aktivitet tjera kreative (muzikë, kor, gazetari, shkrime)”-  thuhet në thirrjen e UWC për aplikim.

Nxënësit të cilët aplikojnë duhet të jenë të moshave 16 deri 18 vjet dhe duhet të kenë njohuri bazike të gjuhës angleze.

Ata mund të aplikojnë në këtë link deri më 31 janar, 2024.

Ndërsa, për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për shkollat e UWC, mund të informohen në këtë link.

UWC ka 18 shkolla dhe kolegje në 4 kontinente të botës.