Ilustrim

Mbi 40 shtetas të Bosnjës evakuohen nga Gaza

Ministria e Jashtme e Bosnje e Hercegovinës konfirmoi më 15 nëntor se 42 shtetas të saj apo anëtarë të familjeve të tyre janë larguar nga Gaza për në Egjipt.

Arritja e tyre në Egjipt ishte rezultat i “përpjekjeve disa javore nga të gjithë aktorët dhe institucionet e përfshira në procesin e ndërlikuar të evakuimit”, tha Ministria e Jashtme në një postim në X, që më herët njihej si Twitter.

Kjo ministri shtoi se për shkak të vështirësive për të arritur në kufi, “një pjesë nuk arriti të evakuohej”.

Ministria e Jashtme e Bosnjës tha se do të vazhdojë të monitorojë zhvillimin e ngjarjeve në procesin e evakuimit nga Gaza përmes pjesëtarëve të stafit të saj dhe ambasadorëve.

Sipas autoriteteve, 54 persona janë në listën për evakuim nga Gaza, 19 prej të cilëve janë shtetas të Bosnje e Hercegovinës dhe pjesa tjetër janë familjarë të tyre.

Ambasadori i Bosnjës në Egjipt, Sabir Subasiq, më herët konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është nisur drejt Rripit të Gazës për shkak të evakuimit të shtetasve të Bosnjës. Ai tha se do të presë 42 personat që fillimisht janë evakuuar në Egjipt dhe po bëhen përpjekje që të evakuohen edhe dy të tjerë.

Ende nuk dihet se kur ky grup i të evakuuarve do të arrijë në Sarajevë.

Më herët, Shoqata e komunitetit palestinez në Bosnje e Hercegovinë, që përfaqëson palestinezët që jetojnë në këtë shtet, tha se evakuimi i shtetasve të Bosnje e Hercegovinës po shkonte sipas planit dhe se ata veçse kishin kaluar “në pjesën e Egjiptit”.

Ministri i Sigurisë në Bosnje, Nenad Nesiq, u tha gazetarëve më 15 nëntor se “të gjithë ata persona që janë në Gazë kanë dokumente të vlefshme boshnjake dhe nuk paraqesin kërcënim për Bosnje e Hercegovinën” do të evakuohen nga atje.

Sipas Nesiq, personat që evakuohen, por që nuk kanë shtetësi të Bosnje e Hercegovinës, do t’iu nënshtrohen kontrolleve të sigurisë.

Rripi i Gazës lidhet me Egjiptin vetëm përmes një pike kufitare, asaj në Rafah. Kjo pikë deri vonë ishte e mbyllur, por është hapur për të lejuar largimin e shtetasve me pasaporta të huaja, por edhe të palestinezëve që po dërgohen për trajtim mjekësor në Egjipt.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nisi më 7 tetor, pasi grupi ekstremist sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 240 të tjerë.

Izraeli është kundërpërgjigjur duke rrethuar Gazën – ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë – dhe duke kryer sulme të pareshtura ajrore, por edhe tokësore. Si pasojë e luftimeve, në Gazë janë vrarë mbi 11.000 persona, kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore atje.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, që udhëheq me Gazën që nga viti 2007./REL.