Konventa e Rinisë së PDK Foto: PDK

Veseli: Një vit më parë morëm mesazh nga qytetarët se duhet të ndryshojmë

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot konventën e saj rinore e ku i pranishëm ishte edhe kryetari Kadri Veseli i cili që një kohë është duke e përdorur sloganin “Dekada e re”.

Gjatë fjalës së tij në këtë konventë, Veseli ka deklaruar se mijëra të rinj u janë bashkuar partisë që ai drejton, ndërsa ditën e sotme ku u zgjedhën strukturat e rinisë së kësaj partie, Veseli e sheh si fillim të dekadës së re.

Veseli e ka uruar Donjet Bislimin si kryetar të Rinisë Demokratike të Kosvoës.

Në fjalën e tij, Veseli tha që PDK-ja është e gatshme për të bërë më shumë për Kosovën.

“Partia Demokratike është gatshme për të bërë edhe më shumë për Kosovën. Dhe, ne do ta bëjmë këtë! Nuk do të ndalemi. Do ta mposhtim çdo sfidë. Me guxim dhe vendosmëri. Ky është identiteti dhe zotimi ynë”, tha Veseli, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Veseli gjatë fjalimit të tij, kujtoi edhe zgjedhjet e vitit të kaluar, ku PDK-ja pati rënie të madhe të votave, e cila vërehet edhe me numrin e deputetëve në parlament.

“Një vit më parë, ne morëm një mesazh nga qytetarët. Se duhet të ndryshojmë edhe ne. Se nuk mjafton veç të fitohet lufta, të shpallet pavarësia, të vihen themelet e shtetit modern. Se PDK duhet ta ndërtojë një shtet edhe më të mirë për të punuar dhe jetuar në të”, ka thënë në mes tjerash Veseli.