Veseli nga ‘Elani’ i Vushtrrisë Flet për Masa në Pallat të Rinisë

Kryeparlamentari Kadri Veseli vizitoi sot pjesë të ish-ndërmarrjes shoqërore “Elan” në Vushtrri pesë arë të së cilës janë uzurpuar nga bashkëpartiaku i tij.

“Kam ardhur të vizitoj nga afër procesin e lirimit të pronave. Është jashtëzakonisht më rëndësi që të ketë perspektivë ekonomike, që prona private të jetë e shenjtë, të jetë e patjetërsueshme dhe e pacenueshme,” deklaroi Veseli.

Më tutje ai tha se uzurpatorët nuk ua kanë parë hairin uzurpimeve.

“Ky është mesazh për të gjithë ne se duhet ta respektojmë ligjin, nuk është mesazh kundër askujt. Dhe të gjithë duhet të vetëdijesohemi se mbi të gjithë ne është ligji dhe t`i bindemi ligjit në mënyrë që t`i japim perspektivë vetvetes, për arsyen se edhe ata që kanë përfituar gjithë këto vite në këto prona të uzurpuara nuk ia kanë pa aq shumë hairin,” tha Veseli.

Në mesin e uzurpatorëve të aseteve të “Elanit” ishte edhe Gani Imeri, bashkëpartiaku i Kadri Veselit për të cilin “Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar se ka ndërtuar shtëpi në tokën e ndërmarrjes për çka tani gjykata e ka gjetur fajtor.

AKP-ja, në një përgjigje me shkrim për BIRN dhe Internews Kosova në qershor të këtij viti kishte deklaruar se është e pamundur që tani ta largojë nga prona shoqërore Gani Imerin.

“Gani Imeri është i evidentuar si person i cili ka ndërtuar shtëpi në asetin e ndërmarrjes shoqërore pas vitit 2005 kooperativa bujqësore “Elan” në Vushtrri, në sipërfaqe prej 00,05.00 ari”, thuhej në përgjigjen e atëhershme të AKP-së.

http://kallxo.com/akp-dorezohet-karshi-uzurpatoreve/

Petrit Gashi kryetar i Bordit të AKP-së që e shoqëroi Veselin në këtë vizitë tha se nuk e dinte kush ishte uzurpatori.

“Nuk e kam idenë se kush ka qenë pronari i paligjshëm, uzurpatori, por nuk është shumë e rëndësishme për neve. Për neve është e rëndësishme se ne kemi intervenuar, kemi liruar pronën edhe njëjtë do të bëjmë me të gjitha pronat të cilat janë të uzurpuara,” tha Gashi.

Shaip Mikullovci nga kompania “Emona” privatizuesi i ndërmarrjes “Elan” tha se uzurpimi për 14 vjet e ka penguar jetësimin e planit të tij.

“Këtu do të investohen rreth 4 milionë euro së bashku me pronën dhe do të hapen rreth 150 vende të punës. Projekti ka qenë i gatshëm qysh prej dy vjetësh dhe tash do të vazhdojmë, shumë shpejt besojmë me marrjen e lejes së ndërtimit,” tha Mikullovci.

Ndërsa Kadri Veseli në fund të vizitës në “Elan” të Vushtrrisë paralajmëroi që së shpejti AKP-ja do të shikojë edhe kontratat e shfrytëzuesve të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Procesi i lirimit të pronave shoqërore të uzurpuara filloi këtë vit pasi që Agjencia Kosovare e Privatizimit me kërkesë të kryeparlamentarit Veseli bëri publik emrat e të gjithë uzurpatorëve të pronës shoqërore.