Veseli i kërkon shteteve mike njohjen e rolit të Serbisë në krime kundër njerëzimit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se nuk do të heshtë ndaj përpjekjeve të Serbisë për të rishkruar historinë e luftës dhe masakrave që ka kryer në Kosovë

Ai përmes një postimi në Faceook tha se do të kërkojë nga Parlamentet e vendeve mike hartimin e rezolutave që t’i njohin këto krime.

“Me rastin e 20 vjetorit të luftës së Kosovës dhe duke pasur parasysh tendencën e qeverisë së Serbisë për të mohuar krimet e bëra, kam përgatitur një letër drejtuar Parlamenteve të vendeve mike për të kërkuar prej tyre hartimin e rezolutave që në mënyrë zyrtare njohin rolin e shtetit serb si shkaktar të krimeve kundër njerëzimit”, ka shkruar Veseli.

Tutje kryekuvendari tha se një rezolutë e tillë do të përkujtonte ngjarjet e dhimbshme për popullin e Kosovës.

“Do të nderonte viktimat e shumta civile dhe do të dënonte kategorikisht çdo përpjekje për ta mohuar apo ndryshuar atë pjesë të errët dhe të dhimbshme të historisë bashkëkohore evropiane”, ka shkruar Veseli.

Sipas tij të tilla rezoluta përkujtuese, jo vetëm ndërgjegjësojnë shoqërinë që krimet çnjerëzore si ato të luftës së Kosovës mos të përsëriten më, “por i kontribuojnë edhe pajtimit ndëretnik i cili është i pamundur nëse nuk thuhet e vërteta”.

Mohimi i krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë nga ana e politikanëve serb, ka nxitur reagime të ashpra edhe gjatë kësaj jave në vend.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të autorizohet rregullimi me ligj  i çështjes së mohimit të krimeve të luftës në Kosovë.

Kërkohet ndëshkueshmëri për mohimin e krimeve të luftës në Kosovë