Tollovia e shkaktuar në Kuvend gjatë fjalimit të Glauk Konjufcës - Foto: KALLXO.com

Veseli – Deputetëve: Po e Thirrni Taksiratin!

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u ka bërë thirrje deputetëve që ta ruajnë qetësinë dhe të mos kontribuojnë në eskalimin e situatës.

Pas një debati dhe një tollovie të shkaktuar gjatë fjalimit të deputetit Glauk Konjufca, Veseli tha se mund të detyrohet ta thërrasë sigurimin në sallë.

Në fakt, citimi nga Konjufca i një letre nga burgu të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, ka nxitur reagimin e deputetit Nuredin Lushtaku, i cili i është afruar te foltorja deputetit Konjufca dhe menjëherë janë afruar edhe deputetë të tjerë nga të dy partitë, PDK e Vetëvendosje, duke përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit, të cilët përpiqeshin të evitonin ndonjë eskalim.

“Po e thirrni taksiratin. Ju është instaluar në kokë fjala vrasje, kriminel…”, tha Veseli, duke theksuar se nuk do të mbajë përgjegjësi në rast të eskalimit të situatës.

Më pas, kryetari Veseli ka ndërprerë seancën kushtuar vlerave të UÇK, për të vazhduar nesër.