Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së KUvendit | Foto: KALLXO.com

Veseli: Demarkacioni Duhet Kryer, Jemi Vonuar Shumë

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka theksuar se ka vonesa në çështjen e votimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Veseli doli para gazetarëve për të treguar se takimi i sotëm është bërë për çështje të rregullores, jo për demarkacionin.

“Do të ndodhë shpejt, jemi duke punuar intensivisht që të arrijmë konsensusin e përbashkët në mënyrë që të ecim përpara dhe të mos vonohemi. Mjaft jemi vonuar, por në këtë mbledhje nuk kemi pasur diskutim në lidhje me demarkacionit”, tha Veseli.

Ai shtoi se çështja e rregullores është drejt përfundimit.

“Jo nuk kemi pasur tensione, kemi pasur diskutime të mira dhe jemi në përfundim të rregullores. Duhet të kryhet sa më shpejt. Për çështje të afateve më mirë duhet folur me Ministren e Integrimeve, konsideroj se jemi duke bërë një nga gabimet ndaj qytetarëve tanë, jemi duke punuar intensivisht që të arrijmë një konsensus”, shtoi ai.

Veseli foli edhe për dispnonimin e deputetëve dhe subjekteve politike.

“Disponimi i shtetit është i pacenuar dhe do të integrohet në Bashkimin Europian si shtet i pavarur dhe po ashtu disponimi i kolegëve deputetë është i mirë përfshirë edhe i atyre të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.

Edhe pse tri herë është nisur seanca për ratifikimin e demarkacionit në Kuvend, marrëveshja nuk është nxjerrë në votim.