Hapet Java e Katërt e Shëndetësisë Kosovë-Turqi - Foto: QKUK

Vazhdon Bashkëpunimi Kosovë-Turqi në Shëndetësi

Kështu u bë e ditur sot gjatë hapjes së Javës së Katërt të Shëndetësisë Kosovë-Turqi.

Curr Gjocaj, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) tha se me këtë  bashkëpunim përfituesit më të mëdhenj janë pacientët kosovarë.

“Përveç investimeve konkrete së shpejti do të inaugurohet mjekimi intensiv, investim nga shteti i Turqisë. Bashkëpunimi po vazhdon edhe në sferën e drejtpërdrejtë të bashkëpunimit në mes të kolegëve profesionistë nga Turqia dhe atyre nga QKUK, ku përfitues direkt është pacienti”, tha Gjocaj.

Ndërsa, Imet Rrahmani, ministër i Shëndetësisë, tha se ky bashkëpunim do të jetë në të mirë të shëndetësisë në Kosovë.

“Prania e profesionistëve nga Turqia sigurisht që do të kontribuojë shumë në shkëmbimin e përvojave sikurse herëve të kaluara. Urojmë që të kemi punë të suksesshme bashkë me kolegët kosovarë, mjekët e infermierët, jo vetëm në punën praktike por edhe në shkëmbimin e përvojave profesionale”, u shpreh Rrahmani.

Kurse, Kivilcim Kiliç, ambasadore e Turqisë, tha se në Kosovë kanë ardhur mjekët më të mirë nga spitale të ndryshme por dhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë.

“Me rastin e kësaj jave edhe njëherë po dëshmohen bashkëpunimet e shëndosha e të mira që i kemi me Kosovën, sidomos në fushën e shëndetësisë, pra kjo është edhe një hallkë tjetër në zinxhirin e bashkëpunimeve të mira”, u shpreh ambasadorja turke në Kosovë.

Sipas saj, punët e ndërsjella dhe ndarja e njohurive dhe përvojave që do të kryhen gjatë kësaj jave në mes doktorëve të cilët kanë ardhur nga Turqia dhe doktorëve kosovarë do të jenë të dobishme për të gjithë popullin kosovar.

Doktor Öner Güner, drejtor gjeneral për marrëdhënie ndërkombëtare dhe BE në Ministrinë e Shëndetësisë të Turqisë potencoi se kjo është hera e katërt që organizohet kjo ngjarje.

“Mbështetja jonë është ofruar jo vetëm këto 9 vjet. Kemi qenë gjithmonë dhe jemi më afër Kosovës. Kemi kryer 128 operacione, 936 trajtime të ndryshme. Jemi të lumtur që shkëmbejmë përvoja me kolegët tanë dhe ofrojmë shërbime me kualitative për popullin e Kosovës. Pa pasur nevojë të shkojnë jashtë por të trajtohen këtu”, përfundoi ai.

Gjatë kësaj jave, ekspertë të fushave të ndryshme të shëndetësisë nga Turqia në bashkëpunim me mjekët nga Kosova do të kryejnë intervenime në fushën kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë.

QKUK është qendër e shumë donacioneve dhe investimeve edhe nga vende të ndryshme.

http://kallxo.com/perurohet-donacioni-amerikan-ne-qkuk/