Qytetari dhuron një parcelë toke për SOS Fshatrat e Fëmijëve

Qytetari Artan Hasani ka dhuruar një parcelë toke për SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë.

Përmes një njoftimi, SOS Fshati e konsideroi këtë veprim të Hasanit histori të dashurisë dhe përkushtimit që asnjë fëmijë të mos rritet i vetëm.

“Ai, një punëtor, prind i përkushtuar dhe mbështetës i atyre që kanë nevojë, ka treguar anën e tij solidare, duke bërë një dhurim jashtëzakonisht të veçantë, një parcelë toke për fëmijët e SOS Fshatit”- thuhet në njoftim.

Sipas SOS Fshatit, ky donacion është i veçantë jo vetëm për shkak të vlerës materiale të parcelës së tokës, por mbi të gjitha për ndjenjën e qëndrueshmërisë që sjell me vete.

“Artani ka kuptuar se jeta nuk është vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë, për të ndarë dhe për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë”.

Në njoftim potencohet se Fëmijët e SOS Fshatit e kanë në zemër pushimin dimëror dhe veror, por me këtë parcelë të dhuruar nga Artani, ata do të kenë një shtëpi pushimi të veçantë për familjet e tyre.

“Megjithatë, rruga për të arritur këtë ëndërr është ende e vështirë. Planifikimi arkitekturor, ndërtimi dhe mobilimi janë sfidat e ardhshme që duhet të përballen. Por me solidaritetin dhe mbështetjen e miqve, mund të të ndërtojmë një shtëpi pushimi që do të mbetet një vend i magjishëm për fëmijët e SOS Fshatit. Faleminderit, Artan, për shembullin e jashtëzakonshëm të  dhurimit dhe për tregimin që bën mbi fuqinë e një njeriu për të ndryshuar jetë”- thuhet më tej në njoftim.